Ish- ministrja e integrimit Majlinda Bregu ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes që tronditi Fierin rreth dy ditë më parë, ku një grua u hodh nga kati i katërt i një pallati prej bashkëshortit të saj.
Bregu tha që “Urdhri i Mbrojtjes” së Liljana Rukajt duhej të ishte dorëzuar në polici brenda 24 orëve. Tani gjykata thotë që e ka nxjerrë një urdhër, ndërsa policia e mohon që një urdhër i tillë të ketë mbërritur tek ata. Sipas Bregut, kjo nuk bën sens.
“Kush nuk e ka kryer detyrën siç duhet të dënohet njëlloj si vrasësi”, u shpreh Bregu në një deklaratë për mediat.
Ndërkohë, pak më herët ministri i Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri, deklaroi se në polici nuk ka mbërritur asnjë urdhër mbrojtje dhe detyrën e dorëzimit e kishte gjykata.
E ndjera Liliana Rukaj rreth një muaj më parë e kishte denoncuar të shoqin në polici se ushtronte dhunë ndaj saj dhe madje kishte fituar edhe një “urdhër mbrojtje”, urdhër i cili nuk u zbatua kurrë.