Ish-deputetja demokrate Majlinda Bregu ka ndarë së fundmi me ndjekësit historinë e një vajze që ka mbaruar shkollën e lartë, por punon për të nxjerrë bukën e gojës.
Duke sjellë në vëmendje historinë e Valbonës së pashpresë, Bregu shprehet se ky është realiteti dhe jo ai i mitingjeve me të rinj me buzëqeshje parajse në fytyrë, duke iu referuar kështu fushatave elektorale të partive politike, përfshirë edhe PD-në që ka prezantuar në mitingje të rinj të pakënaqur.
Më tej, ajo shkruan se numërohen 53 mijë vajza punëkërkuese në Shqipëri, me ose pa diplomë.
Shkrimi i Majlinda Bregut:
Për Valbonën e shumë të rinj si ajo…
Rrugëve, brenda e sidomos përtej Tiranës, nuk është më aspak çudi të takosh të rinj të papunë, e ç’është më e keqja, ndoshta dhe krejt të pashpresë. Valbona që takova nga fshati Mengël ne Elbasan ,s’është fas e para e as e fundit, ndër ata që kanë mbaruar Universitetin, por nuk ka gjetur punë.
U pamë teksa po shiste në një anë rruge në shitjen e frutave te baçes të familjes së saj.
Ngela ngusht kur mësova se ishte e diplomuar në degën Gazetari- Anglisht, në universitetin e Elbasanit.
Gjëja e parë që munda t’i them ishte se të paktën është nga ato vajzat me këmbët në tokë, që nuk rrin kot e që shfrytëzon çdo mundësi për të bërë diçka, për t’ja dalë mbanë sido që t’i vijë jeta. Por a është kjo jeta që ajo meriton!? Sigurisht që jo. Valbona dhe të rinjtë si ajo, që përpiqen e që shkollohen, duhet të kenë mundësi reale punësimi në këtë vend. Meritojnë vende pune prej vërteti e jo të sajuara në shifra qeverie që gënjen nga njëra fushatë në tjetrën.
Sot 17% e shqiptarëve janë të papunë. Dhe numrin më të madh të të papunëve e zëne të rinjtë me 32,2 %.
Janë 53 mije vajza e gra punekërkuese në Shqipëri me ose pa diplome.
Ky është realiteti, jo ai i mitingjeve me të rinj me buzëqeshje parajse në fytyrë.
E vërteta e shumicës së të rinjve në Shqipëri, është kjo e Valbonës, gazetares anglishtfolëse që e takova duke shitur fruta buzë rrugës. #kohapërtuzgjuar
(XH.A/SHUPLAKA)