Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e sotme në aksin e vjetër Lezhë-Milot.
Sipas informacioneve paraprake bëhet me dije se një automjet, në të cilin udhëtonin shtetasit Paulin Gjomarkaj, 38-vjeç dhe Nikolli Gjini, ka humbur kontrollin duke u përplasur me murin rrethues të një banese në fshatin Manati të Lezhës.
Nga burimet në vendin e ngjarjes mësohet se ka humbur jetën 38-vjeçari, ndërkohë që është plagosur bashkëudhëtari i tij.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Në aksin e vjetër Lezhë- Milot, në fshatin Manati, Lezhë, mjeti me drejtues shtetasin P.Gj., 38 vjeç, ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore.
Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën drejtuesi i mjetit dhe ka marrë dëmtime dhe është transportuar në spitalin Rajonal Lezhë shtetasi N.Gj., 27 vjeç, i cili ndodhej pasagjer në këtë mjet.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.