Policia ka reaguar sërish në lidhje me aksidentin e frikshëm të regjistruar ditën e djeshme në Tiranë ku një makinë tip “BMW” përfundoi te diga e Liqenit.
Mësohet se në timon nuk ka qenë Eldi Allushi, por Emiljano Nina, me precedent të mëparshëm kriminal.
Eldi Allushi akuzohet se ka dhënë dëshmi të rremë, pasi ai fillimsht nuk pranoi se ishte në timon por më pas ai ndryshoi dëshminë e tij.
Ndaj 26-vjeçarit rëndojnë akuzat: “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
NJOFTIMI ZYRTAR
Specialistët e Qarkullimit Rrugor, në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur rreth orës 05:15, të datës 22.08.2023, në Rrugën e Kosovarëve, kanë arrestuar shtetasin:
-Eldi Allushi, 26 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Moskllëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
-kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të të lirë për shtetasin Jurgen Allushi, 25 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
– kanë shpallur në kërkim shtetasin Emiljano Nina, 28 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “Largimi nga vendi i aksidentit”, “Shkatërrimi i pronës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Emiljano Nina, duke drejtuar automjetin “BMW”, në pronësi të shtetasi Eldi Allushi, për shkak të shpejtësisë shumë të lartë, ka humbur kontrollin, për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore, te Liqeni Artificial. Pasagjer në këtë automjet ka qenë shtetasi Jurgen Allushi, i cili pas aksidentit, është larguar bashkë me drejtuesin e automjetit.