Kryeqyteti i Shqipërisë është zgjedhur si një nga stacionet e turit të “Gumball 3000”, marka e suksesshme globale e rally-t rrugor, ka sjellë në Shqipëri 150 makina sportive të markave më të njohura botërore.
Ky është një rikthim në Tiranë pas 10 vitesh. “Gumball 3000” ndjek këtë vit itinerarin Riga-Varshavë-Budapest-Dubrovnik-Tiranë-Athinë dhe për të përfunduar në ishullin Mykonos të Greqisë. 150 supermakinat luksoze të drejtuara nga persona VIP të artit, muzikës, biznesit, mbërritën mbrëmjen e së mërkurës në sheshin “Nënë Tereza”, ku ofruan një shfaqje spektakolare për qytetarët.
“Të gjithë të apasionuarit e makinave të garave sportive dhe të veçanta kishin mundësinë të shihnin nga afër performancën e disa prej ekzemplarëve më të bukur të automobilizmit botëror. DJ me famë botërore Afrojack është pjesë e këtij karvani, ndërsa do të ketë edhe një performancë surprizë në mesnatë në sheshin “Nënë Tereza”.
Tirana është përfshirë si destinacion në “Gumball 3000”, pas përpjekjeve të vazhdueshme që janë bërë nga autoritetet vendase për promovimin e Shqipërisë turistike. “Një perlë e fshehur. Shqipëria është vendi i disa prej rrugëve të makinave dhe peisazheve më mahnitëse në Europë, por duhet thënë që ka ndryshuar shumë që nga xhiroja jonë e fundit në vitin 2007”, thuhet në faqen zyrtare të “Gumball 3000”.
Makinat do të largohen nga Tirana paraditen e së enjtes për të udhëtuar drejt Greqisë. (B.H/Shuplaka)
https://www.facebook.com/SuperspeedUSA/videos/860504657432903/