Një ligj i ri për qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve i publikuar në Fletoren Zyrtare, parashikohet që krahas kontrollit teknik, të ketë edhe kontrolle të rastësishme në rrugë. Ministritë përkatëse ajo e Transporteve dhe e Brendshme e motivojnë vendimin për dy arsye; rritjen e sigurisë rrugore dhe pakësimin e ndotjes së ambienteve.
Në vendim janë përcaktuar të gjitha mjetet përkatëse dhe nisin nga ato mjete motorike me shpejtësi mbi 25 km në orë, ndërsa do të kontrollohen në rrugë të paktën 5 mjeteve që qarkullojnë në vendin tonë për çdo vit. Mjetet që do të përzgjidhen janë ato me risk të lartë rreziku për sigurinë rrugore ose për mjedisin.
Fusha e zbatimit
Ky udhëzim do të zbatohet për mjetet rrugore me motor, me një shpejtësi të projektuar më shumë se 25 km/orë, të kategorive të mëposhtme:
a) mjete të projektuara dhe të ndërtuara, kryesisht për transportin e njerëzve dhe të bagazheve të tyre, me më shumë se nëntë ndenjëse, duke përfshirë edhe ndenjësen e drejtuesit të mjetit – kategoritë e mjeteve M2 dhe M3;
b) mjete të projektuara dhe të ndërtuara kryesisht për transportin e mallrave dhe që kanë një peshë maksimale me ngarkesë më të madhe se 3,5 tonë – kategoritë e mjeteve N2 dhe N3;
c) rimorkiot e projektuara dhe të ndërtuara për transportin e mallrave ose të njerëzve, si dhe për akomodimin e njerëzve, me një masë maksimale më të madhe se 3.5 tonë –kategoritë e mjeteve O3 dhe O4;
d) traktorë me rrota të kategorisë T5, përdorimi i të cilëve bëhet kryesisht në rrugë publike, për qëllime të transportit rrugor të mallrave, me një shpejtësi maksimale të projektuar më shumë se 40 km/orë.
Përzgjedhja e mjeteve për kontroll teknik fillestar në rrugë
Kur identifikohen mjete që do t’i nënshtrohen një kontrolli teknik fillestar në rrugë, inspektorët mund të përzgjedhin si prioritet, mjetet e operuara nga ndërmarrjet me profil të lartë rreziku. Mjetet, gjithashtu mund të përzgjidhen rastësisht për kontroll ose kur ekziston dyshimi se mjeti paraqet rrezik për sigurinë rrugore ose për mjedisin.
Përmbajtja dhe metoda e kontrolleve teknike në rrugë
Autoriteti kompetent garanton që mjetet e përzgjedhura në përputhje me nenin 9, i nënshtrohen një inspektimi teknik fillestar në rrugë.
Në çdo kontroll teknik fillestar në rrugë të një mjeti, inspektori:
- a) do të kontrollojë certifikatën më të fundit të kontrollit teknik dhe raportin e kontrollit teknik në rrugë, kjo e fundit kur është në dispozicion, të mbajtura në bord ose dëshmi elektronike të tyre në përputhje me nenin 7, pika 1;
- b) do të kryejë një vlerësim vizual të gjendjes teknike të mjetit;
c) mund të kryejë një vlerësim vizual të sigurimit të ngarkesës së mjetit, në përputhje me nenin 13; - d) mund të kryejë kontrolle teknike me çfarëdo metode që konsiderohet e përshtatshme. Kontrollet e tilla teknike mund të kryhen në mënyrë që të arsyetohet një vendim për t’i kryer mjetit një kontroll më të detajuar në rrugë ose që të kërkohet që defektet të korrigjohen pa vonesë në përputhje me nenin 14, pika 1.
Inspektori verifikon nëse ndonjë mangësi e treguar në raportin e mëparshëm të kontrollit teknik në rrugë është korrigjuar.
Në bazë të rezultatit të kontrollit teknik fillestar, inspektori vendos nëse mjeti ose rimorkioja e tij duhet t’i nënshtrohen një kontrolli teknik më të detajuar.
Një kontroll teknik më i detajuar në rrugë do të mbulojë ato elemente të renditura në aneksin II, që konsiderohen të nevojshme dhe të bazuara, duke marrë parasysh në veçanti sigurinë e frenave, gomave, rrotave, shasisë dhe ndikimit të zhurmave në mjedis dhe metodat e rekomanduara të zbatueshme për kontrollin e këtyre elementeve.
Kur certifikata e kontrollit teknik ose raporti i kontrollit teknik në rrugë tregon se kontrolli i njërit prej elementeve të listuara në aneksin II është kryer gjatë tre muajve të mëparshëm, inspektori nuk e kontrollon atë element, përveç rastit kur një kontroll i tillë justifikohet për shkak të një defekti të dukshëm.
Objektet ku kryhet kontrolli teknik
Një kontroll teknik më i detajuar në rrugë, të kryhet duke përdorur njësi të lëvizshme kontrolli ose një objekt i posaçëm kontrolli në rrugë ose në një qendër kontrolli teknik, kjo e fundit, siç referohet në legjislacionin përkatës.
Kur një kontroll më i detajuar duhet të kryhet në një qendër kontrolli ose në një objekt të posaçëm kontrolli në rrugë, ai duhet të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur në një nga qendrat ose objektet praktikisht më të afërta.
Njësitë e lëvizshme të kontrollit dhe objektet e posaçme të kontrollit në rrugë duhet të përfshijnë pajisjet e përshtatshme për kryerjen e një kontrolli teknik më të detajuar në rrugë, duke përfshirë pajisjet e nevojshme për të vlerësuar gjendjen e frenave dhe efikasitetin e frenave, drejtimin, suspensionin dhe ndikimin e zhurmave në mjedis të mjetit sipas kërkesave. Aty ku njësitë e lëvizshme të kontrollit ose objektet e posaçme të kontrollit në rrugë nuk përfshijnë pajisjet e kërkuara për të kontrolluar një element të treguar në një kontroll fillestar, mjeti duhet të drejtohet në një qendër kontrolli ose në një objekt ku mund të kryhet një kontroll më i detajuar i atij elementi.
Vlerësimi i defekteve
Për çdo element që duhet të kontrollohet, aneksi II jep një listë të defekteve të mundshme dhe shkallën e seriozitetit të tyre për t’u përdorur gjatë kontrolleve teknike në rrugë.
Mangësitë e gjetura gjatë kontrolleve teknike në rrugë të mjeteve duhet të kategorizohen në njërin nga grupet e mëposhtme:
- a) defekte të vogla që nuk kanë efekt të rëndësishëm në sigurinë e mjetit ose ndikim në mjedis, dhe mospërputhje të tjera të vogla;
- b) defekte të mëdha, që mund të dëmtojnë sigurinë e mjetit ose të kenë ndikim në mjedis ose të rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës ose mospërputhje të tjera më të rëndësishme;
- c) defekte të rrezikshme, që përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për sigurinë në rrugë ose që kanë ndikim në mjedis.
Një mjet që ka defekte që kategorizohen në më shumë se një nga grupet e defekteve të përmendura në paragrafin 2, do të klasifikohet në grupin që korrespondon me defektet më serioze. Një mjet që tregon disa defekte brenda të njëjtave fusha kontrolli, siç është përcaktuar në objektin e kontrollit teknik në rrugë, të përmendur në pikën 1 të aneksit II, mund të klasifikohet në grupin tjetër me defekte më serioze, nëse konsiderohet se efekti i kombinuar i këtyre defekteve rezulton në një rrezik më të lartë për sigurinë në rrugë.
Kontrolli i sigurimit të ngarkesave
Gjatë një kontrolli në rrugë, një mjet mund t’i nënshtrohet një kontrolli të sigurimit të ngarkesës së tij, në përputhje me aneksin III, me qëllim të garantohet që ngarkesa është siguruar në mënyrë që të mos pengojë në drejtimin e sigurt ose që të paraqesë kërcënim për jetën, shëndetin, pronën ose mjedisin. Kontrollet mund të kryhen për të verifikuar që gjatë të gjitha llojeve të operimit të mjetit, duke përfshirë situatat emergjente ose manovrat e ngjitjes në të përpjetë:
– ngarkesat ndryshojnë vetëm minimalisht pozicionin e tyre, në lidhje me njëra-tjetrën, kundrejt mureve ose sipërfaqeve të mjetit; dhe
– ngarkesat nuk mund të lënë hapësirën e ngarkesës ose të lëvizin jashtë sipërfaqes së ngarkesës.
Pa cenuar kërkesat e zbatueshme për transportin e kategorive të caktuara të mallrave, të tilla si ato të përfshira në Marrëveshjen Evropiane për Transportin Ndërkombëtar Rrugor të Mallrave të Rrezikshme (ADR) dhe legjislacioni tjetër për mallrat e rrezikshme, sigurimi i ngarkesave dhe kontrolli i sigurimit të ngarkesës mund të kryhet në përputhje me parimet dhe, sipas rastit, standardeve të përcaktuara në seksionin I, të aneksit III. Mund të përdoret versioni i fundit i standardeve të përcaktuara në pikën 5, të seksionit I, të aneksit III.
Procedurat për t’u ndjekur të përmendura në nenin 14 mund të zbatohen edhe në rast të defekteve të mëdha ose të rrezikshme që lidhen me sigurimin e ngarkesave.
Personeli i përfshirë në kontrollin e sigurimit të ngarkesës të trajnohet në mënyrë adekuate për këtë qëllim.
Hapat për t’u ndjekur në rast të defekteve të mëdha ose të rrezikshme
Pa paragjykuar pikën 3 të këtij neni, çdo defekt i madh ose i rrezikshëm i zbuluar nga një kontroll fillestar ose më i detajuar, të korrigjohet përpara se mjeti të përdoret më tej në rrugë publike.
Inspektori mund të vendosë që mjeti t’i nënshtrohet një kontrolli teknik të plotë brenda një afati të përcaktuar kohor nëse është regjistruar në Shqipëri. Nëse mjeti është i regjistruar në një shtet tjetër, autoriteti kompetent mund t’i kërkojë autoritetit kompetent të shtetit tjetër, nëpërmjet pikave të kontaktit të përmendura në nenin 17, të kryejë një kontroll të ri teknik të mjetit, sipas procedurës të përcaktuar në nenin 18, pika 2. Kur defekte të mëdha ose të rrezikshme gjenden në një mjet të regjistruar jashtë Bashkimit Evropian, autoriteti kompetent mund të vendosë të informojë autoritetin kompetent të vendit të regjistrimit të mjetit.
Në rast të ndonjë defekti që kërkon korrigjim të shpejtë ose të menjëhershëm për shkak të ndonjë rreziku të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm ndaj sigurisë rrugore, autoriteti kompetent duhet të garantojë që përdorimi i mjetit në fjalë të kufizohet ose të ndalohet deri sa këto defekte të jenë riparuar. Përdorimi i një mjeti të tillë mund të lejohet, me qëllim që të arrijë në një nga serviset e riparimit më të afërta ku këto defekte mund të riparohen, me kusht që defektet e rrezikshme në fjalë të jenë rregulluar në atë mënyrë, që të lejojë atë të arrijë në servis dhe se nuk ka rrezik të menjëhershëm për sigurinë e pasagjerëve të tij apo përdoruesve të tjerë të rrugës. Në rast të defekteve që nuk kërkojnë riparim të menjëhershëm, autoriteti kompetent mund të vendosë mbi kushtet dhe afatin e arsyeshëm kohor, sipas të cilit mjeti mund të përdoret përpara se defektet të riparohen. Kur mjeti nuk mund të rregullohet në mënyrë të tillë që ta lejojë atë të arrijë në servis, mjeti mund të drejtohet në një vend të mundshëm ku mund të riparohet.
Masat administrative të kontrollit teknik në rrugë
Kur janë gjetur defekte pas një kontrolli më të detajuar, zbatohen nenet 78, 162 dhe 165 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.
Raporti i kontrollit dhe bazat e të dhënave mbi kontrollet teknike në rrugë
Për çdo kontroll teknik fillestar të kryer në rrugë, mblidhet informacioni i mëposhtëm nga autoriteti kompetent:
- a) vendi i regjistrimit të mjetit;
b) kategoria e mjetit;
c) rezultati i kontrollit teknik fillestar në rrugë.
Me përfundimin e një kontrolli më të detajuar, inspektori harton një raport, në përputhje me aneksin IV. Autoriteti kompetent i jep drejtuesit të mjetit një kopje të raportit të kontrollit.
Inspektori do t’i komunikojë autoritetit kompetent rezultatet e kontrollit teknik më të detajuar në rrugë, brenda një kohe të arsyeshme pas këtij kontrolli. Autoriteti kompetent do ta mbajë informacionin, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave, për jo më pak se 36 muaj nga data e marrjes së tij.
Zbatimi dhe masat administrative
Ngarkohen shërbimet e policisë rrugore të ministrisë përgjegjëse për rendin publik, në bashkëpunim me organin kompetent të përcaktuar nga ministria përgjegjëse për transportin, task-forcën e krijuar sipas legjislacionit në fuqi, për zbatimin e këtij udhëzimi.
Organi kompetent i përcaktuar nga ministria përgjegjëse për transportin, task-forca, e krijuar sipas legjislacionit në fuqi është përgjegjëse vetëm për krijimin e sistemit të vlerësimit të riskut, kryerjen e kontrollit teknik në rrugë, të ngarkesës së lejuar dhe sigurimit të saj, për hartimin e raportit për rastet e kontrollit teknik të detajuar në rrugë të mjetit dhe raportimin sipas formës standarde të raportimit të përcaktuar në aneksin V dhe si pikë kontakti për shkëmbim informacioni.
Masat administrative ndërmerren nga shërbimet e policisë rrugore për shkeljet e konstatuara./Panorama