Faxweb ka zbardhur dosjen e 14 të atestuarve, mes të cilëve dhe vëllezërit Beqiraj, të cilët u arrestuan në kuadër të operacionit policor të koduar “porositësi”. Sipas dosjes, Gentjan dhe Idajet Beqiraj me 3 tetor, në autostradën Tiranë-Durrës po lëviznin me një motoçikletë “Piaggo”, ndërsa janë goditur në lëvizje nga një mjet me ngjyrë të zezë i paidentifikuar qartë.
Në vendin e ngjarjes është afruar dhe një mjet tjetër dhe personat kanë dalë nga automjetet. Personat, të cilët ndodheshin në këtë makinë kanë nisur të dhunojnë të dy vëllezërit. Pikërisht në këtë moment ata kanë marrë me dhunë njërin prej vëllezërve, Indritin, dhe tre telefonat e tyre celularë.
Pas ngjarjes, vëllai tjetër, Gentjani, ka njoftuar Policinë për ngjarjen, ndërsa një orë me vonë Indriti është lënë sërish i lirë dhe pas kësaj është paraqitur në Policinë e Durrësit , i cili ka rrëfyer të gjithë ngjarjen. Sipas dëshmisë, ai ka pohuar se dyshonte se ata janë dhunuar nga persona, të cilët kishin lidhje me Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shujakut”.
Në dosje thuhet po ashtu se vëllezërit kanë pohuar me përgjegjësi se Ilrijan Feci dhe Kevin Zeneli, në bashkëpunim mes tyre janë porositur nga Kasandër Noga dhe ish-polici Flamur Bejko, që të vrasin Geron Hasanbelli dhe nipat e tij si dhe shtetasin Arben Mërkurin. Ata kanë dëshmuar se Ilirja Feci dhe Kevin Zeneli iu kanë dhënë katër pistoleta të llojeve të ndryshme, si dhe një makinë Benz me targa të huaja, por dhe një banesë me qira në Tiranë, për të kryer “porosinë”.
Dëshmia e vëllezërve Indrit e Gentian Beqiraj, përveç porosisë së marrë nga polici i burgjeve që u kishte dhënë parapagim 3500 euro, kanë zbardh edhe 2 atentate mafioze me dy viktima e katër të plagosur, dhe një tjetër atentat i cili nuk u finalizua. Më konkretisht, u zbardh atentati i 4 janarit në Don Bosko, ku humbi jetën gabimisht Erjon Çela, pasi objektiv ishte daja i tij Geron Hasenbelliu.