Kryetari i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, Saubih Mehmeti gjatë një interviste për Fax News foli në lidhje me thirrjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama në serbisht për qytetarët e Malit të Zi të cilët i ftonte që të mbështesin Gjukanoviçin në zgjedhjet që pritet të zhvillohen me datën 30 gusht.
Mehmeti tha se kryeministri Rama duhet të bëjë thirrje që të votohen partitë shqiptare në Malin e Zi pasi ato duhet të jenë faktor, ndërkohë që shpreson që Rama të ketë pasur si qëllim të ftojë votuesit malazezë që të mbështesin qeverinë.
Po ashtu Mehmeti shton se nëse Edi Rama ka ftuar votuesit shqiptar që ta orientojnë votën në partinë e Gjukanoviçit atëherë këtu kam problem, sepse është e papranueshme që një kryeministër i shtetit amë, të ftojë një parti që nuk është shqiptare.
“Unë jam i rezervuar, por do të gjej kohën që ta ndjek deklaratën, por shpresoj që kryeministri Rama ka pasur me qëllim të ftojë votuesit malazezë që të mbështesin qeverinë.
Partisë shqiptare gjithmonë kanë dhënë kontributin e vet në interes të Malit të Zi, integrimit, të paqes, të sigurisë dhe në veçanti të pavarësimit të Malit të Zi. Prandaj nuk vihet në dyshim qëllimi qartë dhe konsekuent i shqiptarëve në Malin e Zi. Në radhë të parë ne dalim në mbrojtje të shqiptarëve dhe pastaj jemi në bashkëpunim me çdo qeveri që do të përkrahë interesat e shqiptarëve në Malin e Zi.
Kam besim se Edi Rama është politikan me përvojë dhe presim që të ketë një reflektim pozitiv me gjithë atmosferën që është krijuar në Malin e Zi, sepse ne kemi dhe rryma të turbullta që nuk mund ti mbështesim asnjëherë. Ne do të jemi me opsionin që është në mbështetje të shqiptarëve në Malin e Zi.
Të dalë publikisht të mbështesë dhe që të ndihmojë dhe të reflektojë që çdo votë shqiptare të shkojë në listat shqiptare. Kjo do të ishte e mirëpritur.Kjo pasi shumë krahina janë në zhdukje, për shkak të emigrimit të madh. Çdo prononcim i drejtë dhe në interes të shqiptarëve në Malin e Zi do të kishte një ndikim pozitiv dhe do të ndikonin që shqiptarët të jenë faktor.
Nëse Edi Rama ka ftuar votuesit shqiptar që ta orientojnë votën në partinë e Gjukanoviçit atëherë këtu kam problem, sepse është e papranueshme që një kryeministër i shtetit amë të ftojë një parti që nuk është shqiptare, këtu duhet ti dalim zot vetës. Të jem i sinqertë do të jem i rezervuar dhe kritik pse jo.”- tha Mehmeti.