Pak ditë pas sulmit me armë që i bënë në banesën e prindërve të saj, gazetarja Klodiana Lala u shpreh se nuk është e frikësuar nga ajo që ndodhi, por sigurisht shumë e tronditur.
E ftuar në emisionin ‘Opinion’ gazetarja tregoi e prekur se nuk dinte çfarë t’u thoshte vajzave të saj për sulmin me armë.
Ajo është shprehur se nuk di se “kujt t’ia vendosë gishtin për këtë sulm”, pasi në dy vitet e fudnit ajo është marrë me disa çështje delikate, por ka kërkuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt nga shteti.
“Më pyeti vajza, “mami pse na qëlluan me armë”, çfarë përgjigje t’i jap? Këtë përgjgije duhet ta japë shteti. Unë për ato dy vajza jetoj, nëse do t’u kishte ndodhur gjë, çfarë do të bëja unë pastaj”.
Ajo tha se banesa është qëlluar me 15 plumba, ku predhat janë gjetur në mjediset e banesës. Lala tregoi se dy plumba kanë depërtuar në dhomën ku po qëndronin dy vajzat e saj.
Në lidhje me arsyet e sulmit, gazetarja tregoi se për të shkatërruar një gazetar, hapi i parë është që të trembin gazetarët përmes sulmit ndaj familjarëve.
(M.Q/Faxweb)