Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) bëri me dije se një monument tjetër do i nënshtrohet ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese.
Bëhet fjalë për Manastirin e Ardenicës, i cili ndodhet në kodrën e fshatit Kolonjë të rrethit të Lushnjës, mes një pylli me pisha dhe selvi. Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ky monument përbëhet nga Kisha e Shën Mërisë, Kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apolonia dhe gurë shtufi.
Punimet do të kryhen kryesisht në konakët e Manastirit ndërsa do të ketë ndërhyrje konsoliduese në strukturën murale, restaurim i dyshemesë, pastrim i fugave përgjatë perimetrit të kishës, restaurim-trajtim i strukturës drusore, pastrim i fasadës nga patina biologjike, F.V. dyer dhe dritare, etj.
Manastiri i Ardenicës “Lindja e Hyjlindjes’’ mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të Myzeqesë, ku ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike të kësaj krahine: bujqësisë.
Manastiri i Ardenicës i përket periudhës bizantine por formën përfundimtare e ka marrë gjatë shekullit të XVIII. Nga momenti i themelimit të tij, manastiri ka pasur një rol kyç në zhvillimin e identitetit fetar dhe kulturor të popullatës shqiptare.
Përmes pasurisë së tij trashëgimore, ai thërret të gjithë ata që janë të interesuar të zbulojnë rrënjët dhe thellësinë e kësaj toke, ku historia dhe besimi lidhen për të formuar një peizazh të pashembullt shpirtëror.