Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë sot një deklaratë të fortë në Kuvend, ku tha se kapacitetet në spitalet Covid 1 dhe 2 janë duke u ezauruar. Në një moment të fjalës së saj, Manastirliu tha se në spitale ka dhe persona të shtruar të cilët janë të dyshuar si të prekur me Covid, por nuk e sqaroi se pse këtyre personave nuk u është bërë tamponimi apo ekzaminimi me skaner.
Mbetet e paqartë nëse kjo ka qenë një gafë e ministres, apo një tentativë e saj për ta bërë edhe më të rëndë situatën, ndërkohë që ditë pas dite në vend janë duke u zbuluar dhjetra raste me Covid 19.
“Në të dy spitalet për trajtimin e rasteve me COVID-19 kemi mbi 120 të shtruar dhe me dhjetra të tjerë që janë të dyshuar dhe janë të shtruar në këto spitale. Shumë shpejt do të ezaurohen kapacitetet për personat e shtruar në këto dy spitale dhe do të hapim spitalin e tretë dhe të katërt. Por a është më e mira kjo? Duhet të merret përgjegjesia individuale, është shumë e thjeshtë ulja e numrit të të infektuarve çon në më pak persona të prekur dhe më pak persona të shtruar në spital dhe më pak humbje jete.
Ne duhet ta bëjmë për të afërmit tanë, për mjekët dhe inferimierët që janë në vijnë e parë të detyrës. Le ta bëjnë për veten tonë, sa më herë të zbatojmë masat mbrojtëse, nuk është sakrificë vendosja e maskës, siç vishemi në mëngjes duhet të vendosim edhe maskën. Nuk ka më normalitet të vjetër, deri kur të dalë vaksina. Bota do të ketë ndryshuar dhe nuk do të jetë më e njëjta”, u shpreh Manastirliu në Kuvend.
(E.K/Faxweb.al)