Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu tha sot, nga një shkollë e mesme në kryeqytet, se janë publikuar testet model të provimeve të Maturës Shtetërore 2025 dhe ato po shpërndahen në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Publikimi i tyre që në fillim të janarit ka për qëllim të ndihmojë maturantët që të kenë më shumë kohë në dispozicion për përgatitjen e tyre dhe të jenë të mirëpërgatitur për provimet përfundimtare.
Testet përfshijnë një gamë të gjerë lëndësh, duke filluar nga Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matematikë, lëndët e gjuhëve të huaja si Anglishtja, Italishtja dhe Frëngjishtja, deri te lëndët si Qytetaria dhe Psikologjia, Ekonomia, Biologjia, Fizika, Kimia dhe shumë të tjera. Janë përfshirë gjithashtu teste model për drejtimet profesionale, si mbështetja e përdoruesve TIK, Hoteleria dhe Turizmi, si dhe për shkollat e mesme teknike.
Sikurse vitin e kaluar, publikimi i këtyre testeve është bërë shumë më herët, për të garantuar që nxënësit të kenë qasje ndaj materialeve të nevojshme si dhe më shumë kohë për përgatitje. Testet model janë të rëndësishme për të ndihmuar maturantët të familjarizohen me formatin dhe përmbajtjen e provimeve, duke rritur mundësitë e tyre për rezultatet të larta në provimet e Maturës Shtetërore.
Të gjitha testet model mund të gjenden online në faqen zyrtare të Qendrës së Shërbimeve Arsimore.