Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirlliu, ka folur sot për rimëkëmbjen e shërbimit spitalor.
Sipas ministres së re të Shëndetësisë, brenda 100 ditëve, hapësirat e jashtme të të gjithë spitaleve dhe qendrave shëndetësore, do të pastrohen nga çdo ngrehinë apo aktivitet tjetër, që nuk ka lidhje me veprimtarinë e përditshme të këtyre strukturave shëndetësore.
Po ashtu, ministrja ka shpallur konkursin publik për përzgjedhjen e 17 drejtuesve të rinj të spitaleve Universitare dhe Rajonale.
FJALA E PLOTË E MANASTIRLLIUT
“Jam sot këtu, për të shpallur aksionin e Qeverisë shqiptare, për çlirimin e hapësirave në brendësi të mjediseve spitalore, në të gjithë territorin e vendit. Angazhimi ynë është që brenda 100 ditëve, hapësirat e jashtme të të gjithë spitaleve dhe qendrave shëndetësore, të pastrohen nga çdo ngrehinë apo aktivitet tjetër, që nuk kanë lidhje me veprimtarinë e përditshme të këtyre strukturave shëndetësore.
Katër vjet më parë, besoj të gjithë e mbani mend, “Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza” ishte shembulli më i keq i mjediseve që duhet të rrethojnë një spital, ku marrin përditë shërbim me mijëra qytetarë. Sot, katër vjet më vonë, QSUT është shembulli më i mirë, i rëndësisë që këto mjedise dhe ruajtja e tyre, kanë për mbarëvajtjen e veprimtarisë së një institucioni shëndetësor. Objektivi ynë është që brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, këtë model ta eksportojmë me sukses në të gjithë spitalet, në të katër anët e vendit.
Ne jemi të palëkundur në vendosmërinë tonë, për të pastruar një herë e mirë spitalet dhe qendrat shëndetësore, nga aktivitete dhe ndërtime, që jo vetëm nuk kanë kurfarë lidhje me to, por më keq akoma, në shumë raste pengojnë veprimtarinë e tyre, duke u kthyer në një faktor që dëmton ndjeshëm cilësinë e shërbimit për qytetarët.
Aksioni ynë, i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, do të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.Një gjë është e sigurt: Kthim pas nuk do të ketë! “Pushtimi” mbi 25-vjeçar i spitaleve dhe qendrave shëndetësore do të marrë fund një herë e mirë, dhe qytetarët shqiptarë, kudo ku ata e marrin shërbimin shëndetësor, do të trajtohen në mjedise të denja.Ky është hapi ynë i parë, për rimëkëmbjen e tyre.
Në vazhdim, në bashkëpunim edhe me drejtuesit e rinj të spitaleve në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të përzgjidhen pas një konkursi publik që ne do të kryejmë brenda 35 ditëve, ne do të vëmë plotësisht në zbatim planin tonë për transformimin e tyre, në institucione të denja të kujdesit shëndetësor”. (D.D/Shuplaka)