Ministrja Ogerta Manastirliu ka pritur në aeroportin e Rinasit 30 mjekët dhe infermjerët e kthyer nga Italia.
Ajo ka vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre ndërsa përciptazi kanë përmendur edhe skandalin me festën që kanë bërë me alkool dhe muzikë një ditë më parë në hotelin ku qëndronin.
“Ju kemi ndjekur me vëmenjde, kemi pasur kontakte me stafet ku keni punuar, keni hyrë në zemrën e mjekëve italianë, në zemrën e pacientëve atje. E para keni treguar vlera me kolegët tuaj, e dyta nga kjo luftë nuk kishte të plagosur, rezultatet e djeshme kanë treguar se askush nga ju nuk është prekur nga koronavirusi”, tha Manastirliu ndërsa njëri nga anëtarët e stafit që u kthyen tha se “dinë të fitojnë dhe dinë të festojnë”.
Ndërsa Manastirliu tha pas tij: “Po e vërtetë. Ata që dinë të fitojnë dinë edhe të gëzojnë, ne jemi këtu dhe jemi të gjithë të bashkuar për të vijuar luftën. Kemi nevojë për ju dhe eksperiencën tuaj. Jeni heronjtë modern të Shqipërisë, dhe të jesh hero do të thotë të tregosh sakrificë në një mision në emër të jetës”, tha Manastirliu.
Nga ana e tyre, mjekët thanë se ishte një eksperiencë e madhe dhe se kanë bërë gjithçka kanë mundur për të kontribuar në situatë e vështirë që po kalon vendi fqinj./F.GJ/FAXWEB.AL)