Deputeti Gazment Bardhi ka ngritur shqetësimin në sallën e Kuvendit, mbi lajmet që qarkullojnë për një sasi të madhe mandarinash shqiptare, të bllokuara në kufirin kroat për shkak të dyshimeve mbi nivelet e larta të kimikateve. Ai theksoi rrezikun e madh që paraqesin këto produkte, veçanërisht për shëndetin e fëmijëve, duke përmendur efektet e mundshme negative në tru.
Bardhi i kërkoi Ministres së Bujqësisë një përgjigje të menjëhershme për vërtetësinë e këtij lajmi dhe masat e ndërmarra për të garantuar sigurinë ushqimore. Gjithashtu, ai kërkoi sqarime nëse këto sasi të dyshuara po qarkullojnë në tregjet e Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar rëndësinë e transparencës dhe kontrollit të rreptë për mbrojtjen e konsumatorëve.
‘Qarkullon një lajm shqetësues që në kufirin kroat janë bllokuar një sasi e madhe mandarinash me origjinë shqiptare, të cilat dyshohen me nivel të lartë kimikatesh. Rrezikon jetën e fëmijëve, pasi prek trurin e tyre. Ministrja e Bujqësisë duhet të sqarojë nëse ky lajm është apo jo i vërtetë dhe çfarë masash janë marrë. Qarkullojnë apo jo këto sasi në Shqipëri dhe në Kosovë?’ ngriti shqetësimin Gazment Bardhi.