Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur ditën e sotme në orën 13:00 për të vendosur për heqjen ose jo të mandatit të dy deputetëve të Parlamentit, Aqif Rakipi e Gledion Rehovica.
Sipas Prokurorisë, Rehovica e Rakipi kanë fshehur rastet e ndalimit në Itali dhe kanë përdorur identitet të rremë.
Avokati i deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi, Theodhori Sollaku, ka kërkuar që mbledhja e KQZ-së të pezullohet pasi sipas tij ky proces ka nisur me paragjykim. Kërkesa e tij është rrëzuar.
“Keni marrë rolin e prokurorisë. Ky proces tashmë është i paragjykuar”, u tha Sollaku anëtarëve të KQZ.
“Kjo është një procedurë e rrezikshme, nesër mund të jeni ju subjekt i procedurave të tilla, është rasti t’i thërrisni ndërgjegjes suaj profesionale për të marrë një vendim të mbështetur në ligj.”-shtoi ai.
(F.G/Faxweb)