Gjykata Kushtetuese ka shtyrë sërish seancën për përfundimin e mandatit të Holta Zaçajt si kryetare e këtij institucioni të drejtësisë.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 23 dhjetor, ndërsa mësohet se shtyrja është bërë pasi Zaçaj ka kërkuar të njihej me vendimin e Gjykatës së Lartë.
“Për këto arsye, si dhe për t’i dhënë kohë të mjaftueshme edhe trupës për të studiuar paraprakisht opinionin, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e hënë, datë 23.12.2024, ora 13:00”, përfundon njoftimi.
Kujtojmë se Gjykata e Lartë, këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe njoftoi shpalljen e vakancës dhe çeljen e garës për këtë post më 11 dhjetor. Gjykata e Lartë këmbënguli se njoftimi publik për shpalljen e garës dhe në vetë aplikimin e Zaçajt, që u bë po ashtu publik, përmendej mbarimi i mandatit në mars 2025.
Nga ana e saj, Holta Zaçaj arsyetoi se mandati i saj përfundon në fund të vitit 2025. Ajo po ashtu i kërkoi Komisionit të Venecias mendim mbi mënyrën e llogaritjes së kohëzgjatjes së afateve të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj këmbëngul se qëndrimi i saj dhe kërkesa për interpretim nga Venecia kërkon të sigurojë pacënueshmërinë e mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.