Ish-kreu i SHISH Fatos Klosi ka folur për Fax News për tubimin e thirrur nga Presidenti Ilir Meta që do të zhvillohet ditën e Henë në orën 17:00, por edhe për ngjarjet e fundit politke në vend.
Gjatë një interviste me gazetarin Sokol Dema, Klosi deklaroi se tubimi i thirrur nga Presidenti nuk është zgjedhja e duhur, duke argumentuar se nuk është populli ai që duhet të thirret për ti marrë mendim me lidhje sipas tij, me disa shkresa dhe padakortësi mes institucioneve.
Ai theksoi se populli thirret për të dhënë qëndrimin e tij njëherë në 2 vjet kur zhvillohen zgjedhjet e përgjigthshme dhe lokale.
Klosi ka folur edhe për marrëdhënien mes Presidentit dhe opozitës të cilën e konsideron të bazuar në interesa të çastit dhe jo në platforma dhe programe e as në ideologji.
Gjatë intervistës, ish kreu i SHISH ka përmendur edhe operacionin e OFL-së për të cilin tha se është një strategji e gjetur për të vepruar për sa kohë që institucionet e reja të drejtësisë nuk janë vënë të gjitha në funksion, ndërsa e konsideron si diçka pozitive.
Pjesë nga intervista:
Zoti Klosi, çfarë po ndodh se si do e quanit këtë ‘rremujë’ që është krijuar kohët e fundit?
Klosi: Kjo që po ndodh është një ngjarje e paprecedentë. Kur ty të ngel sharra në gozhdë, kur nuk të dëgjojnë, pse nuk e thërret popullin kur je në pushtet. Nuk e kam për Ilir Metën por për të gjithë politikanët, se kjo situatë është krijuar nga drejtuesit e këtij vendi. Duhej të merreshin vesh dhe jo ta sillnin situatën për të thirrur popullin “hajde na jep fuqinë tënde”. Populli e tregon pushtetin njëherë në dy vjet, dhe kuptohet opinioni i tij. Natyrisht ankohen se zgjedhjet nuk janë të lira, janë blerë etj. Gjithmonë janë bërë hile të vogla nga të tërë. Unë i kam ndjekur zgjedhjet dhe nuk është kollaj ti blesh zgjedhjet për të fituar, nuk e përcaktojnë blerjet fatin e fituesit.
Çfarë mendoni ju në lidhje me gjithë pretendimet e Metës për kapjen e shtetit?
Klosi: Nuk ka asgjë për të menduar, mbase të gjitha palët duan ta kapin Gjykatën Kushtetuese, mendoj dhe për mua është një problem në të cilin ka futur hundët politika. Tani i drejtohen popullit se është prishur radha apo që është bërë një shkresë me hile. Populli shikon tek këta njerëz jo serioz, nuk është ky shembulli që duhet të japin njerëzit më të urtë dhe më të qetë, që duhet të mendohen 10 herë për të folur njëherë.
Ju ka rënë të dëgjoni që kreu i një shtetit të dalë në një tubim të tillë kundër qeverisë?
Klosi: S’kemi pse vemi tek shembujt, nuk janë tregues të rëndësishëm, duhet tqë flasim për këtë Shqipëri që është. Ne kemi situatën tonë, e ndjekim çdo ditë se çfarë ndodh, i njohim në majë të gishtave këta njerëz, interesat e tyre. Siç është një poezi, ‘kanë ardhur në politikë pa asgjë dhe po dalin nga politika me shumë gjëra’. Rasti konkret që kërkohet për ta zgjidhur problemin është i gabuar. Nuk ka populli as eksperiencën asgjë tënden për të ofruar zgjidhje.
Çfarë parashikoni nga kjo protestë?
Klosi: Njësoj si ato të mëparshmet, që thionin sot do shembet qeveria, asgjë s’do të ndodhë, çfarë duhet të ndodhë?!
A do t’i përgjigjet populli Presidentit?
Klosi: Presidenti bëri një gabim, pasi mori këtë vendim thirri Lulzim Bashën, ai shkoi në PD dhe lajmëroi aleatët dhe shprehën gatishmërinë për të dalë edhe ata. Presidenti vetë nuk ka mundësi të organizojë, me LSI-në mbase po. Pra organizatorët e kësaj proteste dhe që dinë ta bëjnë këtë punë janë partitë opozitare. Uroj të mos jetë e dhunshme dhe nuk besoj sepse palët kanë dhënë qëndrimet e tyre se nuk do të jetë e tillë, është një provë force.
Që prej kohës që ka lajmëruar protestën, Meta ka folur edhe për nënshkrimin e një dekreti, cili do të jetë ky dekret sipas jush?
Klosi: U aludua se do të dekretojë shpërndarjen e Parlamentit, ndërsa unë kam komunikuar me shumë juristë dhe në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me këtë fare. Po bëhet luftë për të caktuar njerëz në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka qef që Gjykata Kushtetues të jetë sipas pritshmërive të tij, njësoj si pala tjetër. Lufta që bëhet është si do zgjidhet kjo situatë. Kjo është quajtur grusht shteti se ‘s’më shkon siç mendoj unë’. S’është e drejtë të bëhet për këtë qëllim por terma të tillë nuk kërkon këtë hileraritet.
Përveç idesë për të thirrur popullin në rrugë, në SPAK ka mbërritur një padi penale për Etilda Gjonajn…
Klosi: Thelbi është manipulimi për të bërë një Gjykatë Kushtetuese në varësi të kryeministrit. As nuk i di ato shkresa as nuk kam interes. Atyre që u takon t’i shikojnë, t’i shohin me paanësi. Nuk tegohen të tilla shkresa para popullit, nuk ka punë populli me to. Akoma nuk është aprovuar Kodi i ri Zgjedhor, për zgjedhje të parakohshme nuk ka kohë. Nuk ndalohen me ligj dot blerjet e votave, është një fenomen që flitet, blerjet e votave nuk bëhet në qendrat e votimeve as aty rrotull. Nuk zgjidhet duke bërë komisione. Është mentalitet dhe filozofi e tërë, partitë nuk duhet të përdorin metoda të tilla për të ardhur në pushtet. Thelbi është a e parandalojnë dot vetë partitë këtë. Policia thirret me ligj vetëm kur e kërkon kryetari i qendrës. Ky problem zgjidhet vetëm nëse partitë duan të vijnë në pushtet për ta qeverisur më mirë këtë vend, nëse vijnë në pushtet për ta vjedhur këtë popull, kjo nuk quhet zgjedhje pastaj.
Nga sa thatë duket sikur Meta është palë me opozitën, Basha ka deklaruar mbështetje, është kjo një stepje për të mos u bërë palë publikisht?
Klosi: Pas mandatit të tij ai në LSI do të jetë, ata janë aleatë, nuk është një lidhje e fortë ideologjike dhe programore. Janë lidhur së bashku për interesa të çastit, aleancat që lidhen me probleme të çastit nuk janë të qëndruesshme. Nuk çuditem që Presidenti ka llogaritë e tij dhe Basha të tijat.
A ka ndonjë skenar që Meta të marrë drejtimin e opozitës siç është aluduar?
Klosi: Nuk mund ta them unë këtë, duhet ta thotë vetë ai, nuk jam në mendjen e tij.
A do të ketë fuqinë e duhur GJK kur të krijohet për të zgjidhur një sërë çështjesh të rëndësishme?
Klosi: Sigurisht që do të ketë pavarësisht se të gjithë po luftojnë që të kenë njërëzit e tyre dhe kjo të tremb. Unë uroj që jo, ka bërë Berisha kur ishte President dhe që i dolën kundër sepse ishin intelektual dhe njerëz të qëndrueshëm. Ata kërkojnë mbështetje politike sepse në fund të fundit politikanët i emërojnë por kjo nuk do të thotë t’ju binden. Ata për fat kanë një status që zgjat dhe nuk e kanë nevojën e mbështetjes politike.
Prej ditësh ka filluar OFL për të gjithë ata që janë dënuar më parë për pasuritë, nuk kemi një GJK për ta thënë nëse është e ligjshme, në këndvështrimin tuaj si është?
Klosi: Krimi nuk është bërë përgjatë këtyre dy viteve që jemi në reformën në drejtësi, me atë strukturë që kishte juridiku, me atë bashkëpunim mes institucioneve, ne nuk ia dolëm. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që i hymë reformës në drejtësi. Për aq kohë sa nuk është bërë e gjitha funksionale , është ndërmarrë një nismë që unë nuk shikoj asnjë problem, që disa njerëz të dëshmojnë si e kanë ndërtuar pasurinë. Ata që janë prekur nuk do e lënë me kaq, ata do shkojnë në Gjykatë, aty do ta gjejnë të drejtën, nëse u kanë rënë në qaf kot, do e marrin pasurinë, nëse jo, nuk e marrin. Madje po na vjen mirë që shteti po tregon dhëmbët, shteti për këtë duhet, nuk është për të përkëdhelur. Në këtë pikëpamje nuk ka asnjë shkelje dhe është krijuar për shkak të situatës, por nuk do mbetet me atë që do gjejë policia.
(F.GJ/FAXWEB.AL)