Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i është kthyer edhe një herë temës së Presidentit ndikuar nga zhvillimet më të fundit në vend.
Një ditë më parë, ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, ngriti një tezë që Ilir Meta mund të mos bëhet president. Duke u bazuar në nenin numër 88 të Kushtetutës, ai shkruante se nëse shumica e deputetëve nuk paraqiten në seancë, Ilir Meta nuk betohet dot dhe nuk bëhet President.
Ai thekson në reagimin e tij se Ilir Meta është zgjedhur tashmë President i Republikës së Shqipërisë dhe do ta nisë detyrën menjëherë pas betimit më 24 korrik. Sipas tij, edhe nëse asnjë deputet nuk paraqitet në Kuvend nuk mund të shmangë bërjen e betimit pasi Kuvendi nuk e bllokon dot.
Ai thekson se vetëm në rast se Ilir Meta jep dorëheqjen me vullnetin e tij, mund të mos bëhet President.
Reagimi i Ylli Manjanit:
Edhe njëherë për çështjen e Presidentit.
——-
Lexova disa komente, disa prej të cilave më citonin dhe mua, për çështjen e Presidentit të Zgjedhur.
Pa dashur të komentoj mbi komentet dhe mendimet e tyre, theksoj se:
- Ilir Meta është President i zgjedhur tashmë. Na vjen mirë apo na vjen keq, Ai është President i Republikës.
- Presidenti i zgjedhur e fillon detyrën pas betimit në Kuvend. Për këtë qëllim, Presidenti aktual i Republikës ka thirrë Kuvendin ne seancë të jashtëzakonshme më datë 24 Korrik 2017.
- Deputetët e Kuvendit aktual duhet të paraqiten në këtë seancë, në kryerje të detyrës së tyre kushtetuese.
- Opsioni i mosbërjes së betimit sepse asnje deputet nuk do paraqitet në Kuvend, është i pamundur. Disa deputetë sa për të kryer këtë formalitet do jenë aty, është e sigurtë!
5.Meta mund të mos bëhet President vetëm nëse me vullnetin e tij jep dorëheqje! Kuvendi nuk e bllokon dot bërjen e betimit! Është vetëm një akt formal.
Të tjerat janë teori boshe, pa vlerë e pa kuptim! Presidenti që zgjidhet vetëm shkarkohet nuk ndalohet dot të betohet për të filluar detyrën.
Kjo është Kushtetuta e Republikës,ligjet dhe Rregullorja e Kuvendit!
Me komentet personale të militantëve, që nuk kanë lidhje me Kushtetutë e ligje, nuk kam ndërmend të merrem!
(XH.A/SHUPLAKA)