Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, miratoi sot ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria dhe që i hapin rrugë njohjes automatike të periudhës së vjetërsisë në punë, për efekt pensioni të punonjësve të ish-ndërmarrjeve bujqësore (kooperativat) dhe ish-ndërmarrjeve shtetërore të para vitit 1994.
Nga ndryshimet ligjore përfitojnë të gjithë ata që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore apo shtetërore nga mosha 18 vjeç, deri në momentin kur janë shuar kooperativat dhe ish-ndërmarrjet shtetërore.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani tha se “pr/ligji ka për qëllim njohjen si periudhë sigurimi, për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore, të periudhave të punësimit në ish-ndërmarrjet shtetërore, institucione shtetërore, në ish-ndërmarrje bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore”.
Ajo shpjegoi se, për shkak të problematikave në grumbullimin e dokumentacionit të vjetërsisë në punë para vitit 1994, të institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve bujqësore dhe kooperativave bujqësore, periudha të konsiderueshme vjetërsie në punë, nuk janë konfirmuar dhe nuk janë njohur administrativisht, me pasojë refuzimin e kërkesave për caktim pensioni.
Sipas saj, situata që në shumë raste kërkuesit nuk kishin periudha kontributive pas vitit 1994 dhe nuk plotësonin kushtin minimal të periudhës së sigurimit, ka detyruar shumë qytetarë t’i drejtohen gjykatave me kërkesë-padi për njohjen e këtyre periudhave, proces i cili zgjat në kohë dhe ka shpenzime të mëdha, e shpesh të papërballueshme.
Miratimi i këtij projektligji, theksoi Manjani, do të mundësojë njohjen e periudhave të sigurimit pa pengesa procedurale, pa shpenzime për përfituesit dhe mbi të gjitha do të mundësonte përfitimin e një pensioni, të paktën sa masa e pensionit social.
Manjani deklaroi se, sipas analizës financiare kostoja e shtuar, në vitin e parë të zbatimit, rezulton rreth 40 milionë lekë. Gjithashtu në vlerësim të kohës mesatare të gëzimit të pensionit prej 15 vitesh, kosto për këta përfitues si rezultat i përfitimit nga ky ligj është rreth 600 milionë lekë.
Në vlerësim të kostove vjetore të shtuara për kategoritë e përfitimit nga ky ligj, efekti total i kostove të shtuara vit pas viti deri në 16 vite rezulton në rreth 5 miliardë lekë, teksa përfitimet janë në drejtim të rritjes së sigurisë sociale dhe ndihmon në barazinë sociale.
Komisioni për Çështjet Ligjore votoi pro ndryshimeve ligjore të propozuara nga qeveria, teksa mazhoranca nuk mori pjesë në votim.