Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë, deklaroi në studion e “Top Story” se “Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi duhet të shprehin gadishmërinë e opozitës për të mbështetur çeljen e negociatave të integrimit një orë e më parë”.
“Procesi i integrimit është proces i brendshëm. Çdo opozitë do të ishte e interesuar që ky proces të ishte sa më i shpejtë. Kjo është në interesin e publikut, që përfaqësohet nga opozita. Basha dhe Kryemadhi duhet të shprehin gadishmërinë e opozitës për të mbështetur çeljen e negociatave një orë e më parë”, deklaroi Manjani.
Ish-ministri i Drejtësisë theksoi se thelbi i integrimit është ekonomia.
“Shteti shqiptar nuk ka bërë reformë në drejtësi, por spektakël. Është përmbysur Kushtetuta e vendit për shkak të ndërhyrjeve idiote, por të detyrueshme për tu bërë sepse do të merrnim ftesën për anëtarësim. Kemi heshtur të gjithë, përfshi mua. E bëmë kompromisin për shkak të hapjes së negociatave për anëtarësim. Por, thelbi i integrimit është ekonomia. Nëse jemi gati të heqim TVSH-në në doganë, jemi në Europë që nesër”, u shpreh Manjani.
“Këtë temë nuk e kemi marrë ende seriozisht. Ne e kemi parë Europën si përfitim. Fermeri që ankohet se nuk i shitet qepa, do të ketë konkurrencën e Europës më pas. Këtë nuk e di asnjeri. Kjo është BE-ja”, shtoi Manjani.
(E.K/SHUPLAKA)