Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, deklaroi në një takim të organizuar nga Sali Berisha me intelektualët, se mbështet idenë e një vjeshte protestash. Manjani i bëri thirrje Gjykatës së Apelit që të japë sa më shpejt vendimin për fatin e Partisë Demokratike.
“Mbështes idenë e një vjeshte proteste. Diçka që ia vlen, elbasanlliu, sarandjoti, tropojani kanë nevojë të protestojnë në vendin e tyre. Kam dëshirë t’i bëj thirrje Gjykatës së Apelit Tiranë të mbajë vetëm një premtim që e ka bërë vetë në një deklaratë publike ku kërkonte që mos të kishte presion për të gjykuar.
PD duhet të formalizohet një orë e më parë, është shumë vonë, nuk ka kuptim kjo histori. Merreni atë vendim dreqi e mori, mbylleni këtë histori.
Nuk e di çfarë duhet bërë më shumë se sa kaq. Edhe Alibej-Basha ka kërkuar të gjykohet shpejt kjo çështje. Kjo është çështje e interesit publik. Të sqarohet një orë e më parë, jo se ka problem përfaqësimi se e ka treguar populli.
Gjykata e Apelit Tiranë, të ketë kurajon e nevojshme për të gjykuar sa më parë historinë, që s’besoj se meriton as gjykim.”-tha Manjani.