Punonjësit e sektorit të kulturës kanë paralajmëruar protestë, duke reaguar ndaj mospagesës së pagave për muajin mars dhe neglizhencës institucionale që i ka lënë pa përkrahje financiare gjatë festave të Pashkëve. Sindikata e kulturës thekson se situata ka cenuar dinjitetin e punonjësve, ndërsa akuzon Ministrinë e Kulturës për udhëzime të paqarta dhe shmangie nga marrëveshjet kolektive.
Në deklaratën e saj, sindikata nënvizon se kultura nuk është luks apo kosto, por një themel i rëndësishëm i shoqërisë. Protesta synon të rikthejë vëmendjen te vlerësimi dhe trajtimi me dinjitet i punonjësve të këtij sektori, të cilët, sipas tyre, po përballen me padrejtësi dhe pasiguri ekonomike.
“Arsyeja e këtij këshilli protestues është goditja e dinjitetit të punëtorëve të kulturës, udhëzimet e parakohshme dhe të qarta për llogaritjen e pagave nga Ministria e Kulturës, tentativat e vazhdueshme për shpërfillje të marrëveshjeve kolektive, që rezultuan me vonesë të pagave dhe lënien e punonjësve të kulturës pa para për festat e Pashkëve. Kultura nuk është shpenzim, është themeli i çdo shoqërie të SKRM-së!!!”, thuhet në deklaratën e SPK.
Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës dhe Turizmit njoftoi javën e kaluar se punonjësit në institucionet kulturore do t’i marrin pagat me rritjen e nevojshme në dy ditët e para të punës të kësaj jave në përputhje me Ligjin dhe Kontratën Kolektive.
Arsyet e vonesës, siç thuhet nga Ministria e Kulturës, janë për shkak të harmonizimit të përllogaritjeve të pagave me Ministrinë e Financave.