Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Poposki, e ka cilësuar si të pahijshme dhe të papërshtatshme ndërhyrjen e Shqipërisë dhe Kosovës në punët e Maqedonisë.
Ai ka thënë se dy vendet nuk duhet të vendosin mina që rrezikojnë të gjithë në rajon dhe as të dërgohen sinjale të gabuara.
“Nuk është e hijshme, por as e përshtatshme, kur kryeministri ose kryetari i shtetit fqinj drejtpërdrejt përzihen në punët e brendshme, veçmas jo në periudhë pas zbatimit të zgjedhjeve në mënyrë demokratike dhe përpara formimit të Qeverisë. Po dërgohen sinjale të gabuara në rajon. Gjithsesi se është e rrezikshme kjo qasje në një vend me traditë multikulturore. Shumë larg është nga praktika e fqinjësisë së mirë. Nëse të gjithë kemi pajtueshmëri se e ardhmja jonë është në Evropë, atëherë lufta është që të sigurojmë stabilitet, paqe, drejtësi dhe prosperitet ekonomik për të gjithë qytetarët. Gjithmonë kemi qenë plotësisht korrekt në bashkëpunim me fqinjët. Më së miri do të jetë që edhe ato të na bashkohen në këtë rrugë, në vend që të vendosin mina të cilat sjellin rrezik për të gjithë”, ka thënë Poposki, raporton “Portalb.mk”.
Ky reagim i shefit të diplomacisë maqedonase vjen platformës së përbashkët të partive shqiptare BDI, Lëvizjes BESA dhe Aleanca për Shqiptarët që kanë zhvilluar takime me krerë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Përpara kësaj deklarate, Ministri i Jashtëm në Shqipëri, Ditmir Bushati, u shpreh më herët se Tirana nuk lidhet me skenarët e mundshëm për krijimin e Qeverisë në Maqedoni. (XH.A/SHUPLAKA)