Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska ka nënshkuar sot një kërkesë të re për ekstradim të ish kryeministrit Nikolla Gruevski nga Hungaria. Kërkesa e re është për atë si organizator i ngjarjeve të 27 prillit në Parlament. Sipas asaj që e tha ministrja, ditëve të ardhshme kërkesa do të dërgohet në Budapest.
“Kërkesa për ekstradim të Gruevskit për 27 prillin, me dokumentacionin e kompletuar, këto ditë do të dërgohet tek Ministria e Drejtësisë në Hungari”, tha Deskovska.
Prokurorja Villma Ruskovska kohë më parë pati zbuluar se Interpoli refuzon të shpallë fletëarrest ndërkombëtar pa asnjë arsye, edhe pse në kërkesë janë plotësuar të gjithë parakushtet sikurse në kërkesat e tjera. Kërkesa për ekstradim, siç shpjegoi Deskovska, nuk ka lidhje me fletëarrestin dhe nuk varet prej tij.
Hungaria nuk ka afat të caktuar në të cilin duhet të japë përgjigje për ekstradimin e Gruevskit. Por, kryeministri Hungarez deri më tani në paraqitjet publike e ka bërë të qartë se Gruevski, miku i tij shumëvjeçar, do të jetë nën mbrojten e shtetit të tij, pasi që ka fituar të drejtën e azilit, si një i persekutuar politik. Hungaria ende nuk ka dhënë përgjigje as për kërkesën për ekstradim të Gruevskin për rastin “Tanku”.