Prej disa ditësh kanë dalë në skenë përplajset në Universitetin e Tiranës, ku në lojë ka hyrë edhe qeveria.
Kryeministri Rama dhe ministrja Nikolla u ndalën dy ditë më parë në një takim me anëtarë të Senatit, ku përdorën një gjuhë mjaft fyese në drejtim të pedagogëve.
Në një përgjigje për kryeministrin kreu i departamentit të gazetarisë, Mark Marku shprehet se Rama tashmë ka marrë rolin e kreut të Senatit.
Po ashtu Marku e krahason Ramën me diktatorin Enver Hoxha, ku shkruan se: Enver Hoxha i bënte pak më hollë gjërat, Hitleri e Stalini, gjithashtu, Musolini po e po, edhe pse ishte publicist si Rama.
Më tej pedagogu shkruan se i vinte keq teksa të zgjedhurit e Universitetit kamxhikoseshin në atë mënyrë nga ana e kryeministrit.
Duke u ndalur te takimi i Ramës me Senatin, Mark Marku shkruan:
Në reagim të qëndrimeve dhe kërkesave tona, Kryeministri shqiptar, z. Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, znj. Lindita Nikolla, thirrën me ngut senatin e UT-së dhe bënë një mbledhje të improvizuar të tij duke u vetëshpallur kryetar të senatit dhe duke i trajtuar anëtarët e senatit ashtu siç nuk i kishte trajtuar kurrë njeri më parë: duke i tallur, përbuzur, denigruar dhe duke u mbajtur një fjalë të gjatë e të pakuptimtë për autonominë dhe lirinë akademike dhe financiare.
Zot, thashë me vete, Kryeministër që ka marrë rolin e kryetarit të senatit dhe i jep fjalën vetë kryetarit të senatit, njëherësh edhe rektorit, dekanëve, etj. dhe flet për autonomi universiteti. Enver Hoxha i bënte pak më hollë gjërat, Hitleri e Stalini, gjithashtu, Musolini po e po, edhe pse ishte publicist si Rama.
Senatorët, si në një mbledhje fronti a partie të kohës së komunizmit, që u shpjegohej se ligji ishte i mirë dhe se duhej të ndryshohej përqasja ndaj ligjit, jo vetë ligji; se gjendja është e mirë, por se ata nuk kishin sy që ta shihnin; se problemet ishin të brendshme dhe se ai do t’u priste kokat.
E shihja atë takim dhe ndjehesha fajtor se si Kryeministri, për të na frikësuar ne që ishim mbledhur si pedagogë të lirë dhe të pafrikësuar, duke u kërkuar llogari, kamxhikonte të zgjedhurit tanë, burokracinë tonë universitare të përdorur e të stërpërdorur nga politika, që kishte lejuar t’i dilte situata nga kontrolli dhe nuk kishte treguar syçeltësinë e duhur për të zhdukur çdo shenjë lirie dhe dinjiteti intelektual në universitet.
Kujtojmë se Rama e thumboi Mark Markun për konstatimin e pedagogut se në Universitet nuk kishte shkumsa, dhe për kushtet e vështira në të cilat ky institucion gjendet.
(E.K/FAXWEB)