Federiko Marketi ka vendosur të mos ngrejë flamurin e bardhë në duelin e tij me Thomas Strakoshën për portën e Lacios. Gardiani i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e përfaqësueses italiane, duket se ka vendosur të qëndrojë te skuadra e tij, edhe pse kjo do të thotë se ai do të jetë portieri i dytë, pas të riut të talentuar shqiptar.
Mediat italiane raportojnë se aktualisht te Lacio të gjithë janë të bindur se Strakosha është e ardhmja e për këtë arsye, e shohin atë si titullarin e fillimit të sezonit të ri. Ndërkaq, parashikohej që Marketi nuk do të pranonte të rrinte në stolin e rezervave dhe do të kërkonte largimin e tij nga kjo skuadër.
Por portalet e ndryshme pranë klubit të Lacios kanë raportuar sot se ai ka vendosur që të qëndrojë në kryeqytet, për të sfiduar Strakoshën dhe për të bindur Inzagin që t’i besojë përsëri. Shpresa e Marketit është që duket pasur shumë aktivitete paralelisht, mes kampionatit dhe Europës, në momentin kur Inzagi të vendosë rotacionin për Strakoshën, ai të mund të shfrytëzojë shansin për të rifituar fanellën e titullarit.
Ndaj Strakosha duhet të përgatitet për një tjetër duel në sezonin e ri, por me ndërgjegjen se këtë radhë është ai në avantazh dhe se klubi ka shumë më tepër besim te aftësitë e tij.
(E.K/SHUPLAKA)