Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, duke tronditur të gjithë miqtë, kolegët e veçanërisht familjarët e tij.
Mësohet se Bello ishte infektuar me Covid, ndërsa kurohej në një spital në Turqi, ku nuk mundi që ta fitonte betejën me sëmundjen e rëndë.
Lidhur me këtë lajm tragjik ka reaguar dhe ish-deputeti socialist Namik Dokle, i cili shprehet se buzëqeshja dhe mirësia e Bellos do të mbeten në mendjet e kujtdo që e ka njohur gjatë jetës.
“LAJM I MESNATES!!! Sa i trishte! Sa i pabesueshem ky lajm i mesnates per vdekjen e mikut, kolegut, Marko Bello. Pa i mbushur ende te gjashtedhjetat, na e mori covidcolera! C’behet keshtu? Po na behet fejsbuku varreze!!!
Lamtumire, i dashur Marko! Nuk do ta harroj kurre buzeqeshjen tende te pandare, shakane tende mbushur me miresi…”, shkruan Dokle në postimin e tij.
Për këtë ndarje të parakohshme të Bellos ka reaguar dhe presidenti Meta, i cili shkruan se mëngjesi e sotëm e ka gjetur të tronditur nga ky largim.
“Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohëshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor!
Zoti ju dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes! Ngushëllimet më të ndjera! Përherë i paharruar në kujtimet tona! LAMTUMIRË I SHTRENJTI YNË MARKO BELLO!”, shkruan Meta në postimin e tij.
“Nje lajm i kobshem ikja jote Marko! Na preve krahet. Shok qysh ne Gjuhet e Huaja e pastaj si koleg ne grupin parlamentar te PS. Diplomat, pedagog, politikan e mbi te gjitha shok me nje buzeqeshje tere jete! Lamtumire!”, shkruan Petro Koçi, zëvendës ministër i mbrojtjes.
Marko Bello, lindi më 12 shtator të vitit 1961 dhe ishte deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë për 12 vite me radhë nga 2001-2013, ndërkohë që për një periudhë kohe ka shërbyer dhe si zëvendësministër i mbrojtjes.
Bello ka mbajtur postin e ministrit për Integrimin Evropian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar. Në periudhën 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zv/ministër i Mbrojtjes.
Marko Bello ishte dhe një nga anëtarët themelues të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
(E.K/Faxweb.al)