Kryeministri Edi Rama nuk la pa komentuar në fjalën e tij të mbajtur në foltoren e Kuvendit edhe deklaratat e pedagogut Mark Marku mbrëmjen e djeshme apo kritikat e demokrates Rudina Hajdari për paketën antishpifje.
Rama nuk u kursye në ironi dhe tallje për Markun, për të cilin tha se duhet markuar me pullë të kuqe për fjalët e ndyra që thotë në emision dhe për kërcënimet që bën.
“Jo më larg se dje pash një reflektim në të gjitha portalet e lirisë, nuk lë fjalë të ndyrë pa i thënë një deputeti, duke e kërcënuar , ky është profesori i letrave, Mark Marku që duhet markuar me pullë të kuqe kur merr përsipër të flasë për lirinë, por ka të gjithë lirinë të flasë atë që do.
Ky ligj nuk është për deputetin që të çojë përpara autoriteteve Mark Mark Markun se ju shthur goja. Të gjithë ata që merren me politikë janë të destinuar që të kenë në kurriz ata atje që i thonë kriminela, banditë, hajdutë apo të kemi të drejtën që të kërkojmë llogari publike për çfarë po flasim. Këtu nuk ka lidhje fare me opinion”, deklaroi Edi Rama.
Ai iu drejtua edhe Rudina Hajdarit, duke u shprehur se kjo e fundit duhet të kujtojë më parë të shkuarën e saj kur flet për lirinë e fjalës. Kryeministri i kërkoi Hajdarit të kujtojë kohën kur fliste si do partia dhe kohën tani kur flet si do vetë për të kuptuar sesi e trajtojnë mediat atë.
“Vjen dhe flet Rudina Hajdari, por e harron veten e vet. Ishte vajza e heroit të demokracisë së ngritur në piedestal sa kohë mendonte se duhet folur siç thotë partia. Kur e ndryshoi, e pa vetë se çfarë ndodhi.
Ky ligj nuk e cenon asnjë fije Rudina Hajdari, lirinë e fjalës, të drejtën për të dhënë lajme, por garanton mbrojtjen e të drejtave të tua kur të ulin dhe të ngrenë sipas qejfit kur ti mendon sipas kokës tënde. Nëse ty s’të bën përshtypje, mua më bën përshtypje për të gjithë të tjerët”, tha Edi Rama.
Ai iu drejtua edhe gazetarëve me emra. Duke përmendur Mero Bazen dhe gazetarët e Rai3, Rama tha se disa organizata të rreme kanë mashtruar KiE.
“Kjo është një paketë e cila është konsultuar një vit rresht, kam patur konsultime edhe me përfaqësues në BE dhe u kam thënë se: ‘Ju nuk e keni lexuar ligjin për të cilin po flisni. Jeni në presionin e organizatave të rreme.
Organizata të rreme, fallco, profile fallco në “Facebook”. Organizata e Mero Bazes se e ka edhe ai një organizatë kur bëhet fjalë për liriën e fjalës. Këtu të censuruar janë ata që kanë të drejtë dhe që nuk kanë asnjë kapacitet mbrojtës sot që të flasin”, theksoi Edi Rama.