Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka thumbuar deputetin e PS-së, Erion Braçe pas deklaratës së tij që kërcënohet çdo ditë nga mbështetësit e basteve. Vasili ironizon me faktin që Rilindja është e gatshme të denoncojë shpifjet, por jo kërcënimet nga mbështetësit e basteve.
“Keta te Rilindjes jane te gatshem te denoncojne cdo shpifje te pretenduar nga ata si e tille, por jo kercenimet e pretenduara nga mbeshtetesit e basteve.
Pse nuk i dergojne ne prokurori?
Ç’frike i ndal?
Nëse nuk i çojne eshte e qarte, qe genjejne.
Si gjithmone…”, shkruan Vasili.
Kujtojmë që deputeti i PS-së, Erion Braçe një ditë më parë u shpreh se merr të paktën 20-25 mesazhe me përmbajtje të neveritshme nga njerëz të industrisë së basteve, me qëllim presionin mbi të.
“Nuk ka ditë që nuk marr 20-25 mesazhe nga njerëz të kësaj industrie në këtë vend, janë kthyer në mesazhe të neveritshme dhe që ushtrojnë presion mbi deputetin e Kuvendit me lloj -lloj formash. Ata nuk mund të më presionojnë, pasi secili që ka shkruar, ka marrë përgjigje të qartë, pra mbyllja e të gjitha aktiviteteve të basteve sportive. Mbyllja e aktiviteteve të basteve sportive, lojërave online, nëpër lagje etj., ajo që kam propozuar është se shteti do vendosë si do organizojë këtë aktivitet në rast se do ekzistojnë. Edhe kazinotë duhet t’i nënshtrohen një tatimi të ri”, tha Braçe në një lidhje telefonike për INTv.
(J.D/Faxweb.al)