Të shumta kanë qenë rastet kur deputetja e vjetër e Partisë Socialiste është përplasur, ose më saktë e ka kritikuar kreun e partisë që ajo mbështet. Rasti më i fundit ishte ai me subjekt kritikën e Edi Ramës ndaj Mimoza Hafizit.
“Kam kritikiuar jashtëzakonisht Ramën kur tejkaloi kufijtë me Mimoza Hafizin dhe për shumë kohë nuk i kam shkuar në mbledhjet e grupit.”, ka rrëfyer deputetja e vjetër e PS-së.
Në shkurt të këtij viti, ajo reagoi për shkarkimin e Ylli Manjanit nga posti i ministrit të Drejtësisë. Dade doli kundër Ramës duke u shprehur se “s’mund të mbajmë në këmbë mazhorancën me Shpëtim Idrizin dhe Bamir Topin.” “Besoj se largimi i një ministri është autoritet i kryeministrit. Në nivelin lokal dhe në mënyrë të veçantë për luftën kundër kanabisit dhe trafikimit të paligjshëm, padyshim që qeveria është e angazhuar. Ka rezultate, po gjithmonë ka vend për ta përmirësuar këtë gjë.”, shprehej ajo.
Një tjetër moment përplasje mes tyre, ku Arta Dade nuk ka ngurruar të shfaqë kundërshtinë e saj ndaj Ramës ka qenë momenti i Prillit 2016, kur ajo refuzoi të ishte pjesë e Kryesisë së PS-së pasi nuk ishte dakord me mënyrën si drejtohej partia.
Ajo doli në podium për t’u shprehur konkretisht kështu: “Falenderoj kryetarin për zgjedhjen e emrit tim për të qenë në listë për anëtare e Kryseisë, por unë dua që vendi im në atë listë t’i lihet një shoqeje tjetër, pasi parimet e mia bien ndesh me mënyrën si si është drejtuar partia në këto 3 vite.”
Rreth dy vite më parë, ajo shihte si tepër të nevojshme ndryshimet në mazhorancë. Ajo kritikoi ashpër kryeministrin Edi Rama duke radhitur një sërë problematikash, nga mosfunksionimi i strukturave të PS-së, drejtimi i socialistëve nga një kryetar pa mandat, e deri tek listat zgjedhore dhe emërimet arbitrare që sipas saj ishin bërë për të promovuar njerëz jo profesionistë që janë veçse kosto për Partinë Socialiste.
(XH.A/SHUPLAKA)