Të nisura prej fundit të muajit mars të këtij viti, punimet në kampin e refugjateve në Gjader të Lezhës kanë avancuar. Strukturat akomoduese janë ngritur dhe aktualisht po punohet për vendosjen e logjistikës dhe sistemimin e ambienteve të jashtme.
Sipas burimeve brenda muajit gusht kampi i refugjateve në Gjader pritet të jetë gati, ndërsa ky investim i shtetit Italian po rigjallëron dhe i jep zhvillim këtij fshati. Kështu shprehet kryeplaku i Gjadrit Aleksandër Preka, sipas të cilit shumë banor të zonës janë punësuar aty si dhe ka patur rritje të xhiros në bizneset e zonës.
Me ngritjen e kampit të refugjateve, Gjadri do të ketë vëmendje dhe sa i përket investimeve kryesisht në infrastrukture dhe rrjetin elektrike thotë kryeplaku Aleksandër Preka. Sipas marrëveshjes me Italinë të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit të shkuar, porti i zbarkimit të refugjateve nga vendet e treta do të jetë Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse, ndërsa në Gjadër po ndërtohet kampi ku do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj dhe në përfundim të procedurave të vlerësimit autoritetet italiane do të largojnë me shpenzimet e tyre refugjatet nga territori shqiptar.