Të tjera detaje zbulohen nga marrëveshja PAN-AKR, sipas të cilës Ramush Haradinaj zgjidhet kryeministër.
Mediat kosovare shkruajnë se Haradinaj nëse zgjidhet kryeministër i vendit, nuk do të ketë të drejtë që të shkarkojë ministrat apo zëvendësministrat që janë emëruar nga Aleanca Kosova e Re (AKR), me të cilën ka nënshkruar marrëveshje sot në mbrëmje.
“Me kërkesë të liderit të AKR-së emërohen dhe shkarkohen të gjithë kuadrot që burojnë nga kjo marrëveshje e që janë përfaqësues të AKR-së sikundër janë ministrat, zëvendësministrat etj”, thuhet në Pikën 5 të marrëveshjes mes AKR-së dhe PAN-it.
Sipas kësaj pike, Behgjet Pacolli do ketë fuqi mbi të gjithë ministrat që ai do i emërojë dhe shkarkojë vetë.
Partia e Pacollit do të ketë 5 ministri në qeverinë e re. Ai u shpreh me anë të një letre drejtuar anëtarëve të kryesisë së AKR-së se mbështetja e Haradinajt ishte për të mirën e Kosovës. (D.D/Shuplaka)