Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani do të jetë sot në Tiranë si dhe portin e Shëngjinit për të diskutuar me autoritetet shqiptare hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjes për strehimin e emigrantëve. Ai pritet që të takohet me kryeministrin Edi Rama.
“Më 22 dhjetor do të jem në Shqipëri, ku do të takohem me kryeministrin Rama”, deklaroi Tajani pas takimit dypalësh në Romë me ministrin e Jashtëm britanik David Cameron.
“Me Shqipërinë kemi arritur një marrëveshje me kryeministrin Rama për përballimin e emigracionit të paligjshëm. Kemi ndërrmarrë këtë nismë me një vend që ka aplikuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Unë do të jem në Tiranë të Premten, më 22 dhjetor do të takoj Ramën si dhe do të vizitoj portin e Shëngjinit ku do të ankorohen anijet ushtarake që do të mbledhin në ujërat ndërkombëtare azilkërkuesit që vijnë nga vende të tjera të botës dhe që do të dërgohen në Shqipëri e më pas do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.”
Kreu i diplomacisë italiane do të vizitojë vendet ku do të ngrihen qendrat për pritjen e emigrantëve, të cilët do të riatdhesohen në vendet e origjinës, në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni.