Marrëveshja dypalëshe për njohjen e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë ka hyrë zyrtarisht në fuqi një ditë më parë. Lajmin e konfirmoi drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hodo, gjatë një konference për mediat.
Hodo njoftoi gjithashtu se tashmë qytetarët nuk do të kenë më nevojë të paraqiten fizikisht për të marrë vërtetimet e nevojshme. Falë shërbimit të ri elektronik të formularëve, të gjitha procedurat do të kryhen online, duke shmangur burokracitë dhe duke lehtësuar ndjeshëm procesin për emigrantët shqiptarë në Itali.
Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të garantimit të të drejtave të qytetarëve që kanë kontribuar në të dy vendet.