Rëndësia për Ukrainën e nënshkrimit me Shtetet e Bashkuara për shfrytëzimin e përbashkët të burimeve të veta minerare nuk qëndron aspak te marrëveshja vetë. Përkundrazi, ajo që ka rëndësi është fakti që kjo kontribuon në forcimin e sovranitetit ukrainas dhe indirekt në ruajtjen e mburojës mbrojtëse amerikane.
Nuk ka asnjë dyshim që në kohë normale, Kievi kurrë nuk do të kishte përfunduar një marrëveshje të tillë dhe me këto kushte, duke i dhënë amerikanëve ndarjen e pasurive të veta natyrore. As me Uashingtonin dhe as me ndonjë qeveri tjetër.
Por këto nuk janë aspak kohë normale.
Që prej më shumë se tre vjetësh, Vladimir Putin ka përshpejtuar luftën e nisur në vitin 2014, kur mori Krimenë dhe nxiti milicitë pro-Moskës në Donbas. Që nga 24 shkurti 2022, Rusia synon ta kthejë Ukrainën plotësisht nën hijen e saj hegjemonike.
Në diskutim nuk janë më çështjet e kufijve të territoreve të pushtuara nga trupat e Putinit. Në realitet, siç është bërë gjithnjë e më e qartë që nga fillimi i përpjekjeve për ndërmjetësim të nisura nga Donald Trump, Putin ka për qëllim të imponojë kontrollin e tij mbi qeverinë e Kievit dhe monopolin e pushtetit të saj për ta shndërruar Ukrainën në një lloj Bjellorusie të dytë.
Jo rastësisht Moska këmbëngul në kufizimin e forcës së ushtrisë ukrainase dhe së fundmi ka propozuar edhe zëvendësimin e Zelenskit me një qeveri të emëruar nga Kombet e Bashkuara. Putin vazhdon të besojë se Ukraina është pjesë përbërëse e Russkiy Mir dhe nuk do të gjejë qetësi derisa të ketë arritur të imponojë pushtetin e tij sa më drejtpërdrejt në vend.
Prej këtu vjen rëndësia për Kievin e asaj që, për thjeshtësi gazetareske, quhet “marrëveshja për tokat e rralla”.
Zelensky nguli këmbë që ajo të nënshkruhej patjetër. Dhe arsyet janë të dukshme: Ukraina nënshkruan një marrëveshje afatgjatë duke dëshmuar sovranitetin e saj të plotë përballë rusëve dhe duke përfshirë amerikanët. Marrëveshja është një simbol konkret i pavarësisë dhe autonomisë së plotë. Moska do të detyrohet ta marrë këtë parasysh.
Sipas asaj që publikojnë mediat ukrainase, duket gjithashtu se në negociatat e minutës së fundit janë arritur disa përmirësime në favor të Kievit.
Pikat kryesore janë:
– të gjitha burimet mbeten nën sovranitetin ukrainas;
– fondi i investimit që menaxhon iniciativën është i ndarë 50 për qind (amerikanët donin paketën shumicë);
– kompanitë shtetërore mbeten ukrainase;
– nuk ka asnjë referencë për borxhin ukrainas për shpenzimet amerikane gjatë viteve të luftës;
– marrëveshja nuk ndikon në asnjë mënyrë hyrjen e Ukrainës në Bashkimin Evropian;
– fondi ka të bëjë vetëm me iniciativat e reja dhe jo me aktivitetet ekonomike ekzistuese;
– Shtetet e Bashkuara angazhohen për të tërhequr investime të reja në Ukrainë.
Në këtë këndvështrim, e gjithë iniciativa mund të lexohet nga ukrainasit edhe si një lloj sigurimi amerikan për të ardhmen e tyre. Dhe kjo bëhet e rëndësishme pas deklaratave të fundit të Trump, më kritike se më parë ndaj Putinit. Zelensky vazhdon të besojë se aleanca me SHBA-të mbetet jetike për vendin e tij. Aleatët evropianë ende nuk janë në gjendje të zëvendësojnë ndihmën ushtarake dhe nuk është e qartë kur, apo nëse ndonjëherë, do të jenë.