Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqëror Astrit Hado, në një intervistë për Fax News, ka folur në lidhje me marrëveshjet e njohjes së kontributeve që Shqipëria ka dhe po negocion me shtetet e tjera. Më e fundit që ka hyrë në fuqi është marrëveshja me Kosovën, e cila i ka paraprirë negociatave teknike dhe marrëveshjeve politike mes dy vendeve tona.
Hado u shpreh se synim mbeten marrëveshjet me Italinë dhe me Greqinë, për shkak se numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në këto dy shtete është mjaft i lartë. Nga ana tjetër me interes mbeten dhe marrëveshjet me vendet e largëta, përfshirë Kanadanë, ku marrëveshja është arritur, ndërkohë që nga SHBA, ende nuk ka një përgjigje pozitive për nisjen e negociatave në nivelin teknik.
Kreu i ISSH-së foli dhe për vlerën e mundshme të pensionit që do të përfitojnë qytetarë që kanë punuar në disa shtete, ku tha se në secilin vend do të marr atë vlerë për të cilën ka dhënë kontribt, në bazë të viteve të punës.
Njohja e pensioneve me Kosovën
Hado: Me Kosovën marrëveshja ka hyrë në fuqi që në datën 1 Korrik, marrëveshja administrative bën të mundur zbatimin e marrëveshjes. Nuk kemi marrëveshje me Kosovën, parimi i marrëveshjeve është që çdo qytetar që punon në një vend tjetër, të përfitojë qoftë pensionin, qoftë lejen e lindjes, dhe çdo kontribut që ti paguan të mos shkojë dëm.
Marrëveshjet janë të përjetshme, do të mbulojnë të gjithë ata që kanë punuar, punojnë dhe do të punojnë në të ardhmen. Janë mijëra persona që përfitojnë, shtuar këtu faktin e lejevetë punës që kanë qenë në rritje.
Ne kemi marrëveshjen e parë që është nënshkruar me Turqinë, prej 3 vitesh kemi marrëveshje me Gjermaninë, me Austrinë, Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë, është çështje kohe zbatimi i marrëveshjes me Zvicrën. Kemi marrëveshje me Maqedoninë, Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe jemi në negociata me Italinë.
Marrëveshja me Italinë
Hado: Lajmi i mirë është që në datën 25-26 ne jemi në raundin e parë të marrëveshjes me Italinë, pala italiane do të vijë në Tiranë, ne pretendojmë që deri në fund të vjeshtës të kemi mbyllur marrëveshjen, dhe më pas do të jenë marrëveshjet respektive në parlamentet përkatëse.
Jemi në diskutime dhe me Greqinë, e rëndësishme është që të gjendet dakordësia për arritjen e një marrëveshje. Unë jam shpresëplotë që me Greqinë vitin e ardhshëm të fillojmë negociatat, që do të thotë se do të kishte efekt te 1 milionë shqiptarë.
Çfarë ndodh me marrëveshjet me vendet e largëta
Hado: Ne kemi marrëveshje me Kanadanë që hyn në fuqi në 1 Gusht, pati vonesa në parlamentin kanadez. Marrëveshjet duhet të gjejnë dakordësinë, kemi kërkuar fillimin e negociatave me SHBA, por deri tani nuk kemi marrë një përgjigje pozitive.
Ka interes dhe nga Arabia Saudite, ndërkohë që synimi ynë është që fillimisht të mbyllim marrëveshjet me të gjitha shtetet e Ballkanit. Shpresojmë me Greqinë, dhe më pas me Malin e Zi, Kroacinë dhe Slloveninë. Sa më shumë marrëveshje të ketë, aq më shumë shqiptarë janë pjesë e skemës.
Ne po shohim gjithnjë e më shumë që prezenca e italianëve në Shqipëri është shumë e lartë, që do të thotë se shqiptarët nuk janë të vetmit nga marrëveshjet. Është e drejta e çdokujt që të jetë i siguruar në vendin ku punon, pasi jeta ka rrisqe.
Kur të dalin në pension këta qytetarë, do të marrin pension shqiptar apo të vendit ku kanë punuar?
Hado: Do të marrin aq pensione sa kanë punuar, nëse kanë punuar në 4 vende, do të marrin 4 pensione, dhe më pas do të njësohen, në bazë të detyrimeve që ka punuar. Nëse ka punuar 15 vite në Shqipëri do të paguhet për 15 vite, nëse ka punuar 10 vite në Itali, do të marri aq sa ka pagua atje. Secili vend do të paguajë për atë kontribut që ka dhënë qytetari.
(E.K/Faxweb.al)
Discussion about this post