Në lidhje me vrasjen e biznesmenit Memli Begalla, Gjykata e Krimeve të Renda ka lënë në burg dy personat e arrestuar.
Denis Demiri dhe bashkëpunëtori i tij Ardian Serezi do të qëndrojnë në burg, deri në dhënien e masës së dënimit ndaj tyre.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurori i dosjes ka deklaruar se mes biznesmenit dhe Ardian Serezit ka pasur njohje më parë.
“Serezi dhe Begalla kanë pasur njohje më parë. Begalla i ka premtuar Serezit se do e nxirrte nga burgu në 2014 kur u kap me rreth një ton kanabis. Por Memli Begalla nuk e ka mbajtur fjalën” tha prokurori, bazuar te hetimet. Mos mbajtja e premtimit nga biznesmeni dyshohet se ka qenë edhe arsyeja e ekzekutimit, por kjo është një nga pistat e hetimit.
Ndërkohë që ka dyshime se edhe biznesmeni Begalla ka qene i përfshirë në trafikun e drogës në 2014, kur në Gjirokastër u kap një ton kanabis dhe drejtues i kamionit ishte Serezi.
Gjithashtu prokurori ka zbuluar detaje të reja edhe nga hetimet që zbuluan autorët e vrasjes. Sipas tij, në një moment pas vrasjes, Serezi ka hequr kapuçin që kishte në kokë, para se të shkonte te makina ‘BMË’ me të cilën u larguan.
Në këtë moment, kur ka hequr kapuçin ai është fiksuar nga një kamer sigurie, nëpërmjet së cilës janë identifikuar më pas dhe arrestuar.
Ardian Serezi, ish-polic është arrestuar edhe në 2014 si shofer i kamionit ku u gjetën një ton kanabis, por pak kohë më parë është liruar nga burgu. Ai u dënua 6 vite, bëri vetëm 3.5 dhe doli me kusht nga burgu.
(E.K/FAXWEB)