Shpresat e Manchester United për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, u goditën me lajmin se mbrojtësi Lisandro Martinez do qëndrojë të paktën tetë javë jashtë fushave me dëmtim të ligamentit të gjurit.
Fituesi argjentinas i Kupës së Botës ishte kthyer vetëm së fundmi nga një dëmtim në këmbë të cilin e mbajti jashtë fushave për pjesën më të madhe të sezonit. Megjithatë, prania e Martinez u ndje në rritjen e formës së United në javët e fundit.
26-vjeçari u detyrua të largohej gjatë fitores 3-0 të së dielës ndaj West Hamit, pasi gjuri i tij i djathtë u përkul nën peshën e Vladimir Coufal ndërsa dyshja luftonte për posedimin e topit.
“Lisandro Martinez ka pësuar një lëndim në ligamentin kolateral medial në gjurin e tij dhe pritet të jetë jashtë fushës për të paktën tetë javë.
Të gjithë i urojmë Liçës një shërim të shpejtë dhe mezi presim ta shohim përsëri në fushë më vonë gjatë sezonit”. sqaron United.
Martinez tani do të humbasë pjesën më të madhe të pjesës së mbetur të sezonit, megjithëse ai mund të rikthehet për shtatë ndeshjet e fundit të sezonit në Premier League dhe fazat e fundit të FA Cup.
“Ai është shumë i trishtuar, shumë i zhgënjyer. Na vjen keq të. Para së gjithash, është një katastrofë personale kur është vërtet e keqe, por le të presim se çfarë është. Por edhe për ekipin është vërtet keq, sepse ai padyshim që na ofron shumë“, tha trajneri i United, Erik Ten Hag pas ndeshjes me West Ham.
United është i gjashti në Premier League, gjashtë pikë larg Tottenhamit dhe tetë pas Aston Villas së vendit të katërt, me të cilin përballen të dielën.
Një vend në katër më të mirat do të garantojë futbollin e Champions League sezonin e ardhshëm, ndërsa i pesti mund të jetë i mjaftueshëm në varësi të mënyrës se si do të shkojnë skuadrat angleze në garat europiane këtë sezon.