Nga Dritan Shano
*** Këto janë disa mendime që i kam ndarë vjet. Nuk u heq presjen. Kam edhe të tjera, por nuk do i them sot, se jemi në analizë.
E kundërta e kurajos në shoqërinë tonë nuk është paburrëria, është konformizmi
Rollo May
Është përkëdhelëse ideja se nga 8 dhjetor 1990 deri në 20 Shkurt 1991, ne studentët e atëhershëm, dhe të gjithë ata mijëra që na u bashkuan, kryem një revolucion apo kundër-revolucion antropologjik në Shqipëri. Vramë Frikën, Përqafuam Lirinë. Vërtet?!
Në fakt, sot formalisht jemi të Lirë. Nuk ka një nen 55 të Kushtetutës, që të çon për lesh sepse ke guximin të mendosh ndryshe. Nga kjo pikëpamje, jemi krejtësisht të lirë. Jemi të lirë edhe të kemi, ose edhe të mos kemi frikë! Dhe shumica jonë, në këtë farë lirie, sot nuk i shkon ndërmend të vrasë frikën por ka zgjedhur të ketë frikë. Ata që nuk duan të kenë frikë, që e përbuzin frikën, apo kanë frikë nga frika, sot, thjesht ikin nga Shqipëria.
Është e qartë se vrasja e frikës sot është edhe më e vështirë se atëhere. Sot nuk ka fatalitet, ka rrugëdalje, askush nuk është me shpatulla për muri; sot njerëzit, zgjedhin me vetëdije të kenë frikë. Me ç’duket, dashuria për më tepër liri, për më mirë, sot në kohën e iPhone 7, dhe Samsung Galaxy s7, është më e vogël sesa frika se mos zbresim në një nivel varfërie më poshtë nga ky që kemi. Kështu do mund të humbnim dhe atë pak liri formale, të lejuar me ligj që kemi, liri të cilën e ushtrojmë më shumë, duke u vetpëlqyer, në facebook dhe në instagram sesa në jetën reale.
Të vrasësh frikën është të lëvizesh nga vendi. Motivet e lëvizjes njohin dy skaje. Ose je me shpatulla për muri dhe nuk ke çfarë të humbësh më, pra nuk ke më nga çfarë të kesh frikë, ose nga dashuria për më mirë, pra nga dashuria për të fituar gjithnjë e më shumë liri, mundësi. Sot, me ç’duket nuk jemi akoma me shpatulla për muri, prandaj shoqëria shqiptare ka zgjedhur ta mbështjellë me një Liri “fake” atë Frikën e saj “firmato”. Liria, është sot një cohë, e cila po hollohet gjithnjë e më shumë, ndërsa Frika po shëndoshet, po ntrashet duke u ushqyer tek burimi i vet totalitar, tek konformizmi, tek gjunjëzimi i individit ndaj një koncepti aq familjar – antropologjik – për ne, se është shteti [partia] që na i ka gjithë gjërat në dorë, se ai na ushqen, na le të marrim fryme, dhe se duhet ta kemi frikë.
Pra sot, kur ato sheshet anembanë Shqipërisë, ku ne, shkurtimisht, u takuam atëhere me lirinë, mbeten ende të zbrazura, kjo është pseja, që me një ton të rëndë, të psherëtitur njerëzit ta thonë me gojë apo me sy, se nuk lëvizin, nuk reagojnë, kanë frike dhe u duhet të ruajnë mos humbasin atë pak gjë që kanë. Që e kanë fituar me thonj e me djersë, me leje apo pa leje. Apo si kriminelë ordinerë që kanë mbjellë disa dhjetëra apo mijëra rrënjë kanabis. Shumica, e bëjnë këtë gjë sepse janë të varfër thonë. Po atëhere çfarë ruan me kaq kujdes more zotëri? Varfërinë? Të drejtën për të frymëmarrë?
Nuk kemi pse ta harrojmë se atëhere, në Dhjetor të vitit 1990, ishim shumë më të varfër se ç’jemi sot. Por është edhe fare e qartë se nga frika se mos humbësh atë pak gjë, kurrë nuk do arrish të bëhesh më mirë. Kjo është sikur nga frika se mos harxhosh bukën, të vdesësh me vetëdije nga e pangrëna. Paralizim i ekzistences si njeri. Duket sikur atëhere, kur sapo mbajtëm fare pak të përqafuar Lirinë, hymë në krizë abstinence për Frikën. Më duket se sot shoqëria shqiptare nuk e përjeton frikën si një të keqe apo sëmundje nga e cila duhet të kurohet apo shërohet, por si normalitet. Më duket, gjithashtu, sikur ajo është ri-martuar me Frikën, dhe Lirinë e ka thjesht një dashnore, që ja di dhe gruaja, dashnore të cilën e takon një herë në 50, apo 104, apo 526 vjet.
Këto 26 vjet kanë patur varavingot e veta mes Lirisë dhe Frikës, por ndoshta u desh Rilindja socialiste, që ne të gjithë, edhe ata që kanë lindur pas vitit 1990, ta preknim përsëri me dorë atë, artin qeverisës që dominohet nga administrimi i frikës deri në atë pikë sa të na duket se kemi akoma diçka për të humbur. Kjo Rilindje, nga dita e parë e saj, me këmbëngulje riprodhoi në mënyrë audio-vizuale simbolet e frikës – tritolin, bunkerët dhe burg, burg, burg. Këto i njohim mirë dhe e ia dimë zullumin, kush më shumë e kush më pak. Prandaj sot, krejt qetësisht qeveria u vjedh djersën dhe jetën shqiptareve me ligje dhe VKM, dhe është krejt indiferente ndaj eksodit të ri të shqiptarëve. Kjo është fare e qartë. Me zë, figurë dhe shifra.
Por, kjo qartësi e sotme, u rrit mbi ambiguitetet e djeshme. Për të cilat kemi përgjegjësi. Mbi hezitime, dhe spërdredhje me pronën private, për mos hapjen e dosjeve, mosdënimin e krimeve të diktaturës komuniste, e qindra akte të tjera qe siguronin gjysma zgjidhjesh, – pra mos krijimin e një sistemi të ri vlerash të sistemit kapitalist, por negociimin me sistemin e vjetër të vlerave duke krijuar kështu një miks komunisto-kapitalist. Sikur kemi dashur ta kurojmë kancerin me paracetamol, edhe pse e dimë që nuk bëhet.
Kështuqë sot, të gjithë ne kemi provën përfundimtare se në periudhën 8 Dhjetor 1990 – 20 Shkurt 1991, ne nuk e paskëshim vrarë frikën, por vetëm sa e kishim plagosur atë. Është fare e qartë se sot Frikës i janë shëruar plagët. Prandaj, na duhet ta vrasim këtë bishë nga e para. Vetëm se na duhet që shtiza jonë, me të cilën do vrasim bishën, të jetë e shenjtë, e pastër, e panegociuar në konformizëm dhe populizëm. Të jetë shtizë, dhe jo çelës kopil. Dhe kësaj rradhe të mos ikim nga “sheshi” pa u siguruar që Frika ka vdekur. Ndryshe, rraca jonë kurrë nuk do arrijë të martohet me Lirinë!
PS: Shkrimi është i vjetshëm. Që atëhere, sot në Dhjetor 2017, ne kemi ikur nga sheshi. Pa nder. Frika vazhdon të rrojë, dhe nuk na ka frikë.