Një skandal i vërtetë mjedisor po ndodh që prej orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme në zonën e Stacionit të Trenit në Fushë Krujë, ku janë duke u djegur qindra goma mjetesh të përdorura, të cilat shkaktojnë një dëm të madh në ajër, për shkak të përbërjes së tyre.
Gazetari i Fax News Fatjon Gjinaj ka shkuar pranë vendit ku edhe sot tymi kancerogjen vijon që të prodhohet nga mbetjet e gomave, ndërkohë që pronari i kësaj pike të grumbullimit flet jashtë kamerave për një dëm kolosal në aspektin ekonomik.
Zjarri dyshohet se është aksidental, si pasojë e një shkëndije elektrike, dhe ka nisur mbrëmë pak para mesnate. Për shkak se kemi të bëjmë me një zonë periferike ai është konstatuar vonë nga disa banorë të zonës, të cilët knë lajmëruar më pas dhe pronarët e biznesit, si dhe ekipin zjarrfikës.
Burime bëjnë me dije se Agjensia Kombëtare e Mjedisit ka gjobitur subjektin në fjalë me gjobë, ndërkohë që ligji e parashikon qartë dhe mënyrën si bëhet riciklimi i gomave të përdorura.
Menaxhimi duhet të bëhet vetëm nga persona që kanë leje dhe licensë të marrë nga Agjensia e Mjedisit, ndërkohë që ndalohet rreptësisht djegia e këtyre materialeve. Çdo subjekt që merret me riciklimin e gomave të përdorua duhet të raportojnë pranë Agjensisë së Mjedisit për çdo muaj numrin dhe sasinë e gomave që ka të grumbulluara.
E pikërisht këtu duket se ka çaluar dhe subjekti në fjalë, i cili gjatë ditës së sotme është ndëshkuar dhe me gjobë nga AKM. Gjobat për subjektet që shkelin ligjin variojnë nga 10-15 milionë lekë.
Pronari i subjektit është marrë në pyetje nga prokuroria, ndërkohë që vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësja ngjarje me pasoja të tmerrshme mjedisore.
VENDIM Nr. 652, datë 14.09.2016 “PËR RREGULLAT DHE KRITERET PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE NGA GOMAT E PËRDORURA”
Menaxhimi i gomave të përdorura kryhet nga persona fizikë/juridikë, të pajisur me lejen e mjedisit sipas fushës III.1, të shtojcës së ligjit nr. 10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, dhe me licencën III.2.B, të fushës III, sipas vendimit nr. 538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.
Trajtuesi i gomave të përdorura dërgon pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve informacion në lidhje me sasitë e gomave/mbetjeve të gomave të përdorura, të trajtuara sipas dokumenteve të transferimit, brenda datës 30 tetor të çdo viti. Agjencia informon ministrinë në lidhje me të dhënat e trajtimit të mbetjeve nga gomat e përdorura brenda muajit janar të vitit pasardhës.
Çdo person që angazhohet me mbetjet nga gomat e përdorura jo në përputhje me nenin 41 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 000 000 (një milion) deri në 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë.
(E.K/Faxweb.al)