Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi bën fajtore strukturat e shtetit për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Velipojë, ku si pasojë e përplasjes me armë mes dy familjeve, 4 persona vdiqën dhe 2 të tjerë u plagosën.
Sipas Ademit kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur në rast se Ministria e Turizmit, Agjensia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit.
Vonesën në administrimin e zonës së plazhit, e pranoi dhe vetë babai i dy djemve Gocaj që mbetën viktimë e përplasjes, ku sqaroi se vitin e kaluar hapësira për të cilën kishte nisur konflikti i përkiste familjes së tij, dhe këtë vit e kishin marrë Ferracakët. Sipas tij shteti kishte vonuar në ndarjen e hapësirës së plazhit.
Postimi i plotë i Ademit:
Ngjarja shumë e rëndë e mesnatës së shkuar në Velipojë, duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit. Humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjensia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit.
Konflikti i armatosur në mes të Velipojës, një zonë turistike dhe në mes të sezonit, mund dhe duhej të ishte parandaluar, nëse policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të ishin të pranishme në territor, në zbatim të Akteve Normative për orën policore për pandeminë, nëse do të kishin vepruar pērpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm.
Dita e sotme është një ditë dhimbje dhe ankthi, jo vetëm për familjet e përfshira në ngjarjen tragjike, por për të gjithë shkodranët e shqiptarët, brenda e jashtë vendit.
Kërkoj me forcë, edhe në emër të shkodranëve, që strukturat e shtetit të funksionojnë, duke kryer detyrat e tyre në zbatim të Kushtetutës e ligjeve, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe pronës. Në Velipojë ngjarje të tilla janë shumë të rënda, konflikte të shkaktuara për sjellje dhe vendimarrje të vonuara apo të munguara të shtetit.
Bilanc lufte, është ajo që ka sjellë përplasja me armë pas mesnate në Velipojë, ku mbetën të vrarë 4 persona, dhe u plagosën dy të tjerë, pas sherrit për shezllonet dhe hapësirën e lokaleve.
Viktima nga plumbat e armës kanë ngelur Kujtim Ferracaku, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj dhe Myserim Zeneli, ndërsa plagosur kanë mbetur Hasan Ferracaku dhe Elmind Dyli.
Përplasja ka nisur fillimisht me fjalë mes viktimave, dhe më pas ka degjeneruar në përplasje armësh.
(E.K/Faxweb.al)