Kapet dhe arrestohet autori i vrasjes së shtetasit Holti Hajdari 30 vjeç, të ndodhur në mbrëmjen e datës 11 tetor 2018 në zonën e Kombinatit. I riu u qëllua 12 herë me thikë në trup, duke i shkaktuar një gjakderdhje të madhe, dhe shkaktuar vdekjen.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës për Fax News në humbjen e jetës së të riut, ka ndikuar dhe vonesa e ambulancës për rreth një orë. Dyshohet se konflikti mes viktimës dhe vrasësit nisi në banesë dhe më pas erdhi dhe goditja fatale në rrugicën që lidhte shtëpinë me rrugën kryesore.
Policia njofton se:
Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.6, pas një pune intensive dhe të mirëorganizuar hetimore bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit :
– Muhamet Sallahi, 25 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas mbrëmjen e datës 11 tetor 2018, në rrugën “Bego Hoxha” në Kombinat për motive të dobëta ka goditur disa herë me mjet prerës në trup shtetasin H. H., 30 vjeç, duke i shkaktuar vdekjen.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Vrasja me dashje” të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
(E.K/FAXWEB.AL)