Deputeti i partisë Nisma Socialdemokrate në Kosovës, Milaim Zeka, pritet që të dalë përsëri para togave të zeza, këtë herë nën akuzat për mashtrim e pastrim parash.
Mediet kosovare raportojnë se nesër pritet që të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Milaim Zekës dhe të akuzuarve të tjerë Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu.
Ndërkohë mediet vendase bëjnë me dije se seanca gjyqësore për këtë rast kishte dështuar një herë, pasi në atë kohë Milaim Zeka ndodhej në paraburgim pasi ai akuzohet për kanosje ndaj një prokurori. Ka qenë mungesa e një urdhëri të gjykatës për sjelljen e Zekës në gjyq shkaku i shtyrjes së seancës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale mësohet se të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjenci punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani. Nga ky aktivitet mësohet se Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.
Gjithashtu Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas Prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.
(B.B/ Faxweb.al)