Klodian Ciruna është arrestuar rreth një vit më parë me akuzën e mashtrimit i cili përdorte si marifet duke u shtirur herë si prokuror herë si gjyqtar dhe me dike tjetër prezantohej, si djali i kryeministrit, dhe herë si kryeministri Edi Rama, dhe akuzohet nga prokuroria e Tiranës, për “Mashtrim më shumë se një herë”.
Ciruna rrezikon një dënim prej 10 vitesh burg pasi me anë të këtyre marifeteve ka arritur të gënjejë 3 biznesmenë në Tiranë duke ju marrë qindra mijëra euro.
Skema e mashtrimit e 41 vjeçarit kishte të bënte kryesisht me lejet e ndërtimit duke premtuar leje në këmbim të shumave të majme, disa qindra mijëra euro.
Duke shfrytëzuar një kompani “call center” që kishte hapur, u çonte mesazhe telefonike sikur ishin shkruar nga drejtues të lartë të bashkisë, personave që u kishte marrë eurot dhe u kishte premtuar lejet e ndërtimit. Në këto mesazhe të falsifikuara, viktimat e Cirunës siguroheshin se strukturat e bashkisë ishin duke përgatitur lejet e ndërtimit.
Duke parë se ky lloj mashtrimi po mbante të qetë klientët e Cirunës, ky i fundit mendoi të bëhej edhe më i besueshëm, kur i dërgon një ndërtuesi një mesazh, sikur e kishte shkruar djali i kryeministrit dhe ku ndërtuesit i premtohej se do t’i jepej rikonstruskioni i piramidës dhe disa rrugëve në kryeqytet.
Në këtë moment ndërtuesi ka dyshuar seriozisht dhe pasi ka informuar me mesazh kryeministrin, mori përgjigjen prej tij se ky ishte një mashtrim. Atëherë ndërtuesi denoncoi Klodian Cirunën, denoncim i cili u pasua edhe me të tjerë persona që ishin mashtruar në shuma të konsiderueshme.
Organi i akuzës beson se përveç personave që kanë depozituar kallëzim, Ciruna ka mashtruar edhe të tjerë të cilët për momentin nuk kanë vendosur ta denoncojnë, ndërsa vetë i arrestuari nuk ka pranuar të japë asnjë shpjegim.
(F.GJ/FAXWEB.AL)