Përgjimet ambientale kanë zbuluar se sasia prej 8.8 gramë lëndë narkotike hashash e sekuestruar nga policia e Elbasanit, i përket Azem Hajdarit junior, djalit të ish-gjyqtares së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari.
Pavarësisht se Azem Hajdari në momentin e shoqërimit ra në ujdi me shokun e tij, Ergi Gjumsi, për të marrë ai përsipër posedimin e lëndës narkotike, hileja e Hajdarit është zbuluar nga policia, pasi kjo bisedë mes dy shokëve është përgjuar nga oficerët e policisë.
Nesër në gjyq
Nisur nga kjo situatë të dy miqve u është komunikuar arrestimi dhe akuza e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Për shkak se Azem Hajdari, është në vitin e fundit të shkollës dhe për shkak se ende, prokuroria nuk është njohur me rezultatet e akteve të ekspertimit-biologjik, është kërkuar caktimi i masës së “arrestit në burg” me afat 1 mujor.
“Ora News”, mëson nga gjykata e Elbasanit, se prokuroria e këtij qyteti ka dërguar për gjykimin dosjen penale, kundër Azem Hajdarit dhe shokut të tij, Ergi Gjumsit, duke kërkuar për dy personat caktimin e masës së “arrestit në burg” me afat 1 mujor. Pritet që ditën e nesërme të vendosë gjykata e Elbasanit.
Cigarja në makinë
Sipas materialeve hetimore, rezulton se në datë në datën 23 korrik 2021 rreth orës 19 : 50 punonjësit e policisë së Elbasanit kanë kontrolluar automjetin tip
” Audi” me targe AA 330 YZ, me sens lëvizje nga Bradasheshi në drejtim të Elbasanit. Në makinë udhëtonin 3 persona, drejtuesi i automjetit ishte Ergi Gjumsi, pasagjer në vendin e parë, Azem Hajdari dhe një vajzë, e fejuara e këtij të fundit, e ulur në sediljen e pasme.
Gjatë kontrollit fizik të Azem Hajdarit, në xhepin e majtë të tuteve sportive është gjetur një cigare të dredhur, me filtër, e mbushur me lëndë e dyshuar si ajo e kannabis sattiva.
Ndërkohë gjatë kontrollit fizik të automjetit me targa AA 330 YZ në sediljen e pasme është gjetur një çantë, ngjyrë kafe me kuadrate, marsup meshini, me rrip ngjyrë kafe.
Brenda saj janë gjetur 5 paketime të mbështjella me letër alumini ngjyre varaku, ku brenda tyre kish material bimor i cili për nga aroma dhe karakteristikat ngjason me atë të lëndës narkotike bimore te llojit ”Cannabis sattiva”.
E gjithë sasia e drogës e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ishte 8.8 gramë, duke përfshirë dhe ambalazhin njofton prokuroria.
Të tre të rinjtë po udhëtonin nga Tirana në Pogradec, për të shkuar tek shtëpia e Ergit.
Dëshmia e Azemit
Hajdari ka pohuar se nuk është përdorues i ndonjë lëndë narkotike. Ka treguar në polici se më datë 23 korrik 2021, ka shkuar në shtëpinë e shokun të tij, Ergi Gjumsi, për t’u nisur për Pogradec. Para se të nisej, i ka marrë një palë tuta dhe një bluzë, të cilat i kishte veshur.
Kur kanë mbërritur në Elbasan, ai deklaron se janë ndaluar nga punonjësit e policisë dhe në xhepin e tutave, që kishte veshur i kanë gjetur një cigare të dredhur, për të cilët punonjësit e policisë i kanë thënë se dyshonin që ishte me lëndë narkotike cannabis-sattiva.
Hajdari ka deklaruar se tutat i’a kishte marrë Ergit dhe se nuk kishte dijeni se çfarë kishte në xhepat e tutave dhe as në çantën që i përkiste Ergit.
Dëshmia e shokut
Ndërsa Ergi Gjumshi, në dëshminë e tij ka marrë përsipër pronësinë e drogës duke deklaruar se: “…jam përdorues i kësaj lënde narkotike prej disa vitesh dhe për herë të fundit kam konsumuar ditën e djeshme. Lëndën narkotike deklaroj se e kam blerë atë ditë te një person të cilin nuk e njoh, në afërsi të vendit të quajtur “Parku i autobuzave” në qytetin e Tiranës. Lidhur me dozat e gjetura unë deklaroj se kam blerë pesë cope me qëllim për ti konsumuar gjatë pushimeve verore…”.
Përgjimet
Nga veprimet e kryera në lidhje me këtë procedim penal rezulton se çanta ku është gjetur lënda narkotike i përket personit të arrestuar Azem Hajdari, pasi në këtë çantë gjendet dhe fatura e parkimit të mjetit me të cilin ai së bashku me të dashurën e tij kanë qenë te një lokal me datë 18 korrik 2021.
Po kështu përgjimi ambiental në qeli zbuloi bisedat mes njëri-tjetrit mes Azem Hajdarit dhe Ergi Gjumshit ku thuhet se sasinë e lëndës narkotike të gjetur dhe sekuestruar në mjet, ta marrë përsipër Ergi Gjumshi.