Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Kredia”, duke vënë në pranga një 33-vjeçare që dyshohet se ka përfituar shuma parash përmes një skeme mashtrimi me të dhënat personale të disa qytetareve.
D. C., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, u arrestua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas administrimit të 16 kallëzimeve nga gra të ndryshme, kryesisht nëna me fëmijë të mitur.
Sipas hetimeve, e dyshuara iu prezantohej viktimave si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për gra në nevojë, duke iu kërkuar foto të kartës së identitetit me premtimin për përfitime financiare. Më pas, ajo përdorte të dhënat e tyre personale për të aplikuar kredi në institucione financiare, duke përfituar shuma të ndryshme parash.
Gjatë operacionit u sekuestruan dokumente bankare që vërtetojnë transfertat financiare të realizuara në një llogari bankare të administruar nga D. C.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj skeme mashtrimi dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.