Në një kohë kur shumica e farmacive në Tiranë nuk ka më maska në shitje, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu duket se ka larë duart me këtë problem.
Ministrja u shpreh se rrjeti farmaceutik është privat, dhe shkon përtej mundësive të dikasterit që ajo drejton për ti kontrolluar.
“Kjo është një pyetje shumë e drejtë, dhe besoj se kërkon një përgjigje që do të përmbushë pritshmëritë tuaja. Është koha që edhe këtu të flas sipas mendimit të ekspertëve.
Ata theksojnë se maskat nuk parandalojnë përhapjen e virusit, por vendosen te ata që janë të sëmurë, ose i shërbejnë dikujt që ka probleme me shëndetin.
Të gjithë qytetarët duhet të kenë akses të elementët e mrbojtjes personale, kemi bërë një kontroll për këto maska, ajo çfarë është e rëndësishme për ne është se spitalet i kanë të gjitha masat për tiu shërbyer qytetarëve.
Kjo varet nga vetë rrjeti farmaceutik, që është privat, tregu në raport me importet ka stokun e nevojshëm që të plotësojë tregun. Nuk ka vend për panik, spitalet dhe qendrat shëndetësore kanë marrë të gjitha masat”, tha Manastirliu.
Ministrja kërkoi nga qytetarët që ti besojnë vetëm informacioneve që vijnë në rrugë zyrtare, pasi mund të bjenë pre e lajmeve të rreme, siç qe ai i djeshëm që qarkulloi në rrjetet sociale, e ku thuhej se kishte 12 raste me koronavirus në vendin tonë.
“Ju kemi informuar për rastet e mundshme, ku 6 raste që janë analizuar nga ISHP kanë rezultuar negative”, theksoi ministrja.
“Jemi të përgjegjshëm dhe duhet të ecim me transparencë maksimale me publikun, për të gjitha masat që jemi duke ndërmarrë. Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim. Edhe dje jo pak mesazhe kanë qarkulluar që kanë nxitur panik.
Nuk është koha që paniku t’i zë vendin arsyes. Është koha të vlerësojmë dhe dëgjojmë ekspertët, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga tas-forca dhe strukturat në qeverinë shqiptare.
Dua t’iu ftoj si media për t’iu pasur bashkëpunëtorë ashtu si dhe qytetarë, në një situatë që nuk kërkon panik, por përgjegjësi, transparencë dhe racionalitet. Jemi përballur dje me mesazhe të rreme, të cilat menjëherë kemi informuar nëpërmjet Ministrisë për jo vërtetësinë e tyre”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Ndërkohë që sipas Manastirliut me marrjen e sinjaleve për rastet me koronavirus në Itali, janë dyfishuar kontrollet në aeroport dhe pikat e tjera kufitare, që sipas saj janë nën kotroll të plotë.
Por pavarësisht pretendimeve të ministres, dhjetra qytetarë që hynë dje në Shqipëri, kryesisht nga Rinasi dhe nga porti i Vlorës, shpreheshin se nuk iu kishin bërë asnjë kontroll, madje autoritetet ishin mjaftuar vetëm me marrjen e një interviste të shkurtër.
“Sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH, janë përkthyer në protokolle kombëtare të punës sonë. Në të gjithë protokollin që ne zbatojmë, jemi duke ndjekur situatën. Masat e shtuara kanë të bëjnë me dyfishimin e strukturave tonë në pikat e kalimit kufitar.
Po bëhet vlerësim i imtësishëm i të gjithë udhëtarëve, në raport me vendin nga vijnë, për të pasur më pas një gjurmim të çdo rasti.
Po vijon trajnimi kaskadë në të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor në gjithë Shqipërinë, për vendosjen në gjendje të gatishmërisë, për informacionet dhe protokollet e ndjekjes e trajtimit të simptomave të kësaj sëmundje. Jo vetëm po vijon forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, por puna ka qenë edhe me strukturat paralele, kufirin, policinë, arsimin”, deklaroi ministrja.
(E.K/Faxweb.al)