Mbrëmjen e djeshme, një 23-vjeçar nga Mat, shtetasi Renis Dobra, është raportuar i zhdukur nga familjarët e tij. Babai i të riut ka paraqitur kallëzim në Komisariatin e Policisë Mat, pasi djali i tij nuk ishte kthyer në banesë.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet intensive për gjetjen e tij. Pas disa orësh kërkime, trupi i pajetë i 23-vjeçarit është gjetur pranë liqenit të Shkopetit. Dyshohet se automjeti me të cilin udhëtonte ka rënë në liqen.
Në lidhje me ngjarjen, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.