Maxhoranca ka bërë disa ndryshime në minutat e fundit të ligjit mbi median, e cilësuar nga socialistët si Paketa Anti-Shpifje.
Në ndryshimet e fundit të lexuara në sallë nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, u tha se portalet nuk do të mbyllen, por vetëm do të merren masa për gjobitje ndaj tyre, përgënjeshtrime, apo fshirje të lajmeve ose vetëm të përmbajtjes që është cënuese.
Por ndryshe do të ndodhë me televizionet, për të cilat AMA mund të marrë vendim deri në heqjen e licencës.
Në amandamentin e fundit që bëri Balla në moment të fundit në Kuvend, saktësohet se heqja e licencës, ulja e kohëzgjatjes së licencës, apo pezullimi i përkohshëm i saj, është për ofruesit e shërbimeve audio dhe audiozive.
Kuvendi miratoi me 82 vota pro për paketën për të cilën kryeministri Edi Rama thotë se do të luftojë shpifjet në median online. Vetëm 13 deputetë u shprehën kundër kësaj pakete, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim.
(M.Q/Faxweb.al)